Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka deklaruar se pamjet e paraqitura në seancën e fundit gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dëshmojnë se vrasja e motrës së tij ka qenë e planifikuar dhe e organizuar nga të tre të akuzuarit.
Ademaj tha se seanca nuk ka qenë e lehtë për familjen, pasi janë shfaqur pamjet e fundit të jetës së motrës së tij, duke theksuar se nga ajo që u pa në video rezulton se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër.
Sipas tij, kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për një vrasje të rastësishme, por për një akt të planifikuar.
“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë pasi që i pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë. Ajo se çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kanë planifikuar vrasjen, pasi që e gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm për 7 minuta. Pra nuk ishte një vrasje e pa planifikuar, por ishte e planifikuar mirë nga tre të akuzuarit. Ajo se çfarë pamë sot në këto pamje e qartësojnë mirë se Naimi së bashku me Kushtrimin janë organizatorët e vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, tha ai.













