Një tender për furnizimin me vajra për automjetet e Policisë së Kosovës është shndërruar në një përplasje mes një operatori ekonomik dhe institucionit, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si hartohen specifikimet teknike në prokurimin publik dhe sa hapësirë u lihet operatorëve për konkurrencë reale, shkruan Demokracia.com.
Kompania Auto Zone sh.p.k. ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për tenderin “Furnizim me vajra për automjetet e PK-së” duke pretenduar se kriteret e vendosura nga Policia e Kosovës për një artikull të veçantë vaj motori për automjete të grupit Volkswagen janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që përjashtojnë shumicën e operatorëve nga gara.
Sipas ankesës, Policia e Kosovës ka kërkuar që vaji i motorit 0W-30 të plotësojë njëkohësisht disa standarde: ACEA C3, API SN dhe aprovimin VW 504 00/507 00. Pikërisht kombinimi i këtyre kërkesave, sipas kompanisë, është problematik dhe jo proporcional.
Auto Zone sh.p.k. argumenton se standardi API SN, i vendosur si kriter i domosdoshëm, nuk është pjesë e specifikimeve të prodhuesit Volkswagen për vajrat që mbajnë aprovimin VW 504 00/507 00. Madje, kompania pretendon se edhe vaji origjinal i prodhuar nga vetë Volkswagen, i certifikuar dhe i përdorur zyrtarisht për këto automjete, nuk e posedon këtë specifikë.
Në ankesë theksohet se një situatë e tillë krijon paradoks: nëse një operator do të ofronte vaj origjinal të Volkswagenit, do të eliminohej nga tenderi vetëm pse produkti nuk e ka shënimin API SN, ndonëse është i aprovuar nga vetë prodhuesi i automjeteve.
Kompania pretendon se insistimi në këtë kriter e ngushton ndjeshëm konkurrencën në treg, duke përjashtuar një numër të madh operatorësh dhe markash të njohura që ofrojnë vajra të certifikuara sipas standardeve të prodhuesit. Sipas saj, kjo bie ndesh me parimin e barazisë në trajtim dhe me qëllimin e prokurimit publik për të siguruar konkurrencë, efikasitet dhe përdorim racional të fondeve publike.
Në ankesë theksohet se kriteri më i rëndësishëm për sigurimin e cilësisë duhet të jetë aprovimi VW 504 00/507 00, pasi ky është standardi zyrtar i vetë Volkswagen Group. Këmbëngulja në një specifikë shtesë, e cila sipas kompanisë nuk lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e prodhuesit, konsiderohet e panevojshme dhe diskriminuese.
Auto Zone sh.p.k. i ka kërkuar OSHP-së që ta aprovojë ankesën si të bazuar, të anulojë njoftimin për kontratë dhe ta obligojë Policinë e Kosovës që të rishikojë dosjen e tenderit, duke larguar kërkesën për specifikën API SN për këtë artikull të vetëm.
Rasti pritet të shqyrtohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, ndërsa vendimi i tij do të përcaktojë nëse kriteret e vendosura në këtë tender do të mbesin të pandryshuara apo do të rishikohen në emër të konkurrencës dhe parimeve të prokurimit publik. /Demokracia.com/













