Konsumi i rrymës tejkalon rekordet e mëparshme, apelohet për kursim

KOSST ka njoftuar se konsumi i lartë vërehet kryesisht në tre intervale kohore.

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike është tejkaluar dhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem.

KOSST ka thënë se sistemi energjetik vazhdon të përballet me ngarkesë të rritur, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

“Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00 ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët”, thuhet në njoftim.

KOSST u ka apeluar qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë me kujdes dhe të kontribuojnë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë.

“Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës): rreth 12 MË, NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit): rreth 10 MW”.

Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.

Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.

Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta.