“Real Madridi e kërkoi, por ai qëndroi”; Buffon tregon me fakte madhështinë e Del Pieros

Gianluigi Buffon bën rrëfimin e ndjerë për Del Pieron: “Alex më kishte treguar se telefoni i tij ishte plot thirrje dhe unë nuk mund të ankohesha. ‘Real Madrid më ka kontaktuar përmes drejtorit të tij sportiv, Gigi’, – më tha njëherë në lokal. Mornica të ftohta më kapluan trupin. ‘E kam refuzuar tashmë’, – shtoi më pas. Mora një frymë lehtësimi dhe mendova se të qëndrosh në Torino ishte gjëja më e drejtë.

Të qëndroja pranë Alex në atë moment ishte një detyrë, sepse kishte dhënë për këtë fanellë vite, që mund t’i kishte dhënë diku tjetër. Juventusi në Serie B dhe të thërret Reali, nëse refuzon bëhesh mit. Kur më pyetën se për cilin klub do doja të shkoja jashtë Juventusit, iu përgjigja: ‘A duhet të iki? Jo, rri me Alex’.

Në ditën e ‘standing ovation’ në ‘Allianz Stadium’, gjëja më e pabesueshme që kam parë për një futbollist, hyjmë në dhomat e zhveshjes pas dorëzimit të trofeut. Alex bëri disa foto me Claudio (Marchisio), pastaj iu afrova dhe e përqafova fort. Ishte një përqafim shumë i gjatë.

‘Ti do të më mungosh shumë, shoku im’, – i thashë në vesh dhe ai filloi përsëri të qante. Pirlo përpiqej ta qetësonte. ‘Asnjëherë nuk do të jetë dikush tjetër si ti’, – i thashë. Ai fshiu lotët si një fëmijë kokëfortë dhe tha: ‘Shokë si ne nuk mund ta ndjejnë mungesën reciproke, jemi shumë të lidhur, do të jem gjithmonë kështu’.

Pastaj mori përsëri trofeun që e kishte lënë në tokë: ‘E bëjmë një foto, Gigi?’ Puthja në faqe ishte spontane. Del Piero më ka ndihmuar më shumë se kushdo te Juventusi, ishte i pari që diskutoi me Conte kur ky u zemërua për gabimin tim ndaj Lecce. Nuk do të takoj kurrë dikë si Alex Del Piero dhe ndoshta, në thelb, bota nuk mund të na dhurojë një tjetër”.

The post “Real Madridi e kërkoi, por ai qëndroi”; Buffon tregon me fakte madhështinë e Del Pieros appeared first on Telesport.