Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një anije tjetër pranë brigjeve të Venezuelës, në ujëra ndërkombëtare.
Lajmin e konfirmuan dy zyrtarë amerikanë për “Reuters”, operacioni i dytë i tillë këtë fundjavë.
Veprimi vjen disa ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një “bllokadë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, nuk thanë se cila anije u kap dhe nuk dhanë një vendndodhje specifike për operacionin.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se sekuestruan një anije cisternë me pronësi kineze, që lundronte në ujëra ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, duke intensifikuar presionin ndaj qeverisë së presidentit Nikolas Maduro.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Axios, bëhet fjalë për supertanker-in “Centuries”, i ngarkuar me deri në 2 milionë fuçi naftë bruto.
Anija lundronte nën flamurin e Panamasë, ndërsa ngarkesa i përkiste një kompanie kineze. Deri tani, anija nuk figuronte në listat amerikane të sanksioneve.













