Rrugët pa sinjalizim adekuat, një problem i pazgjidhur i infrastrukturës

Njohësit e çështjeve shpjegojnë se mungesa e shenjave paralajmëruese është një faktor kryesor në aksidentet me fatalitet.

Një javë pas aksidentit fatal të ndodhur më 12 dhjetor në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbën jetën dy shtetase shqiptare, rrethanat që çuan në këtë ngjarje vazhdojnë të ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë rrugore, përgjegjësinë institucionale dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në Kosovë.

Aksidenti ndodhi në një segment ku kishte ndodhur shembje e dheut, ndërsa paralajmërimi i vetëm, sipas informacioneve, ishte vendosur rreth 20 metra para vendit të shembjes – një distancë që, në kushte normale e sidomos në autostradë, konsiderohet e pamjaftueshme për reagim.

Të dy gratë udhëtonin në të njëjtën veturë. Njëra prej tyre ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetra nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe vdiq më vonë në spital.

Albanian Post ka kontaktuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, MMPHI nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, thotë për Albanian Post se aksidente të tilla nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një problemi më të gjerë që përsëritet vazhdimisht në rrugët e Kosovës, veçanërisht në autostrada.

“Kemi parë që në vazhdimësi kemi pasur aksidente, qoftë nëpër rrugë lokale, nacionale dhe nëpër autostrada të Kosovës, por zakonisht nëpër autostrada. Në autostrada, kur kemi ndeshje në komunikacion, duhet pasur parasysh se shpejtësia është minimalisht 100 deri në 120 kilometra në orë. Atëherë këto aksidente manifestohen me fatalitet”, deklaroi Islami për Albanian Post.

Sipas tij, përveç faktorit njerëzor, që lidhet me mospërshtatjen e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe të motit, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që lidhen drejtpërdrejt me gjendjen fizike të infrastrukturës.

Pamje nga aksidenti në Autostradën “Ibrahim Rugova”

“Kemi edhe raste të tjera kur rruga është fizikisht e papërshtatshme. Kemi shembje të dheut dhe mungojnë shenjat e komunikacionit ku bëhet paralajmërimi. Në raste të tilla, segmenti do të duhej të izolohej dhe të mos ishte i qarkullueshëm. Javën që shkoi patëm dy raste aksidentesh pikërisht për shkak të rrugës, sepse nuk kanë qenë shenjat paralajmëruese në autostradë”.

“Mirëmbajtësit e rrugëve duhet të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për raste të tilla. Duhet të ketë marrje përgjegjësie, sepse në rrugë nuk janë vendosur me kohë shenjat sinjalizuese që tregojnë rrezikun nga shembja e dheut”.

Sipas Islamit, masat parandaluese nuk duhet të mbeten vetëm në nivel njoftimesh pas ngjarjeve tragjike.

“Nuk mjafton vetëm informimi pas aksidenteve. Duhet informim i vazhdueshëm përmes mediave të shkruara, elektronike dhe televizionit, sidomos për rreziqet dhe për mospërshtatjen e shpejtësisë, e cila në shumicën e rasteve çon në aksidente me fatalitet”, shprehet ai.

Ai thekson edhe rolin e Policisë së Kosovës në parandalimin e aksidenteve përmes kontrollit të shpejtësisë.

“Vendosja e radarëve statikë është më se e nevojshme, sidomos në autostrada, por edhe në rrugë nacionale e lokale. Kjo do të ndihmonte në parandalimin dhe zvogëlimin e aksidenteve. Në praktikat perëndimore, vendosja e radarëve statikë pa paralajmërim ka dhënë rezultate të dukshme”.

Gjithashtu, dhe eksperti i çështjeve të komunikacionit, Visar Baxhuku, sqaroi për Albanian Post se vendosja e sinjalizimit në kushte të veçanta qarkullimi është obligim që buron nga parimi i informimit dhe lëvizjes së sigurt.

“Vendosja e shenjave në kushte të veçanta të qarkullimit realizohet duke zbatuar parimin e informimit dhe lëvizjes së sigurt. Këto parime duhet të plotësohen edhe në kushte të vështirësuara të qarkullimit, si shi, borë, mjegull apo gjatë natës”, deklaroi Baxhuku për AP.

Sipas tij, distancat e vendosjes së shenjave janë të parapara me udhëzime administrative dhe nuk janë rastësore.

“Ato dizajnohen për të përmbushur parimet e sigurisë. Secila rrugë është në kontratë mirëmbajtjeje për punë të caktuara, dhe nga institucioni caktohet një menaxhues i kontratës. Koordinimi nga terreni deri te aprovimi i punimeve është i rregulluar”.

Baxhuku theksoi gjithashtu se pas çdo ndërhyrjeje apo punimi në rrugë, duhet të pasojë pranimi teknik.

“Pranimi teknik nënkupton se realizimi është sipas projektit dhe se janë përmbushur parimet për të cilat është dizajnuar rruga. Nëse këto parime nuk respektohen, atëherë rreziku për aksidente rritet ndjeshëm”.

Rreth 40% e rrugëve në Kosovë kanë sinjalizim të mangët ose të dëmtuar, ndërsa në rrugët nën qeverisje të komunave mungesa e sinjalizimit arrin deri në 90‑95% në disa segmente. Kjo përfshin mungesën e shenjave vertikale (sinjale paralajmëruese) dhe horizontale (vija në asfalt).

Në analizat për vitin 2024, një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitete dhe të lënduar është identifikuar sinjalistika jo adekuate ose jo në përputhje me standardet, përfshi mungesën e reflektimit në sinjalet e natës dhe mungesë të vijave orientuese në asfalt.