“Tokë të zezë kemi me i bo” – Konjufca s’i reziston dot gjuhës përçarëse: ish-opozitën s’e befason mospërmbajtja

Iu deshën vetëm katër ditë Glauk Konjufcës që nga paraqitja e tij me tone të buta në “Pressing” – ku tentoi ta prezantonte Vetëvendosjen si parti që kishte “reflektuar” për gjuhën përçarëse – për t’u kthyer pa asnjë hezitim te zanati i vjetër: denigrimi i kundërshtarit me fjalor kërcënues dhe përçmues.

Përballë gazetarit Leonard Kërquki, Konjufca e bëri gjuhën pambuk, madje la të kuptohet se edhe kryetari i partisë, siç pretendoi ai, kishte pranuar gabimin për shprehje ofenduese si “hajvanë” ndaj ish-opozitës. Por në terren, në tubim elektoral në Ferizaj, Konjufca nuk hezitoi t’i kthehet gjuhës brutale dhe përçarëse ndaj partive ish-opozitare.

Pamjet e shpërndara nga tubimi e shfaqin Konjufcën teksa, në një komunikim me një qytetar, lëshon shprehjen: “Tokë të zezë kemi me i bo”, në një kontekst që lidhet me partitë ish-opozitare. Fjali e shkurtë, por e ngarkuar me nëntekst: jo debat, jo garë idesh, por dëshirë për shuarje politike.

Në intervistën e fundit në “Pressing”, Konjufca pretendoi se partia e tij ka hyrë në një fazë reflektimi, duke e paraqitur veten si forcë “konstruktive” dhe duke tentuar ta relativizojë përgjegjësinë për tensionet politike të viteve të fundit.

“Uroj që të reflektohet, kjo gjuha, që të na hap rrugë që të mos mbahen peng institucionet e Kosovës…”, deklaroi ai, duke vazhduar me pretendimin se shumica e qytetarëve e shohin Vetëvendosjen si palë konstruktive dhe se përpjekjet për koalicione janë refuzuar nga të tjerët.

Fjalori i Konjufcës nxiti reagime nga PDK dhe LDK, të cilat e cilësuan gjuhën si kërcënuese dhe simptomë të asaj që, sipas tyre, e karakterizon Vetëvendosjen.

Nga Partia Demokratike e Kosovës reagoi Vlora Çitaku, e cila tha se qytetarët janë ngopur me retorikë që prodhon frikë, ndasi dhe urrejtje, në vend të shpresës dhe zgjidhjeve.

“Tokë të zezë kemi me i ba”, paska thënë Glauku. E kënd saktësisht? Qytetarët që nuk i votojnë? Institucionet që nuk u nënshtrohen? Kë do ta bëjë shkrumb e hi VV-ja? Ky vend dhe ky popull janë ngopur me gjuhë kërcënuese, fyese, përçarëse dhe përjashtuese. Janë ngopur me retorikë që ushqen frikë dhe urrejtje, në vend të shpresës dhe zgjidhjeve. Boll më. Nëse nuk keni rezultate për të treguar, së paku mos e ndotni edhe më tej diskursin publik. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, respekt dhe qeverisje, jo për kërcënime e arrogancë.” – shkroi Çitaku.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe kandidatja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila e ironizoi “reflektimin” e pretenduar ditë më parë dhe e ndërlidhi fjalorin e Konjufcës me atë që ajo e quajti përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga “skandalet e WhatsApp-it”, në lidhje me mesazhet e publikuara nga Vox Kosova.

“Glauku i paska thanë një qytetari ”kemi me i ba tokë të zezë”, duke ju referuar partive ish opozitare. Kaq për fjalorin e filozofit i cili para disa ditëve tha se kemi reflektu. Glauk, as s’mundesh me na ba ”tokë të zezë” as nuk mundesh me tërheqë vëmendjen nga skandalet e ëhats app-it. Po dije një gjë: atyre që don me i ba tokë të zezë, nuk ju dërgon letra për bashkëpunim. Unë megjithatë nuk ju uroj juve që të bëheni ”tokë e zezë”, sepse pas 28 dhjetorit ju do të jeni opozita, e opozita i duhet qeverisë dhe vendit.” – shkroi Bajrami.