Autoritarizmi diskursiv i LVV-së: kur gjuha zëvendëson politikat

Si riformësohet realiteti politik në Kosovë përmes narracionit të pushtetit?

“Qytetarët po jetojnë më mirë se kurrë më parë”, “zhvillimi ekonomik po thyen çdo rekord”, “për 20 vjet s’kemi qenë kurrë më të sigurt”.

Gjatë viteve të fundit, qytetarët e vendit periodikisht kanë qenë të ekspozuar ndaj konstatimeve me përmbajtje boshe, të artikuluara nga aktorët më të rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët udhëhoqën ekzekutivin.

Edhe kur përditshmëria tregonte të kundërtën, LVV-ja tentonte që diskursivisht ta paraqiste gjendjen në Kosovë si më të mirën e mundshme ndonjëherë.

Në shkenca politike ky fenomen njihet ndryshe edhe si “autoritarizmi diskursiv”, i cili nuk mbështetet domosdoshmërisht në “dorën e hekurt” të pushtetit, por te kontrolli i kuptimit.

Në këtë model, pushteti nuk e mohon drejtpërdrejt realitetin, por e riformëson atë gjuhësisht.

Si funksionon në praktikë?

Gjuha në këtë rast zëvendëson politikat. Në vend të rezultateve konkrete përdoren fraza si: “rritje historike” e “reforma të thella”.

Pas një kohe, sipas këtij modeli, situata e përkeqësuar fillon të normalizohet. Varfëria, emigrimi, rënia e standardit quhen “sfida globale” ose “fazë tranzicioni”, deri në një pikë ku një krizë pushon së qeni e tillë.

Pushteti që zbaton këtë model, zakonisht përdor edhe statistika selektive, si përqindje pa kontekst e krahasime të favorshme, gjë që krijon një “realitet numerik” që nuk përputhet me realitetin jetësor. Pra tendenca këtu është që statistika të jetë autoriteti absolut, e jo gjendja reale socio-ekonomike.

Te ky lloj i qeverisjes, realiteti nuk negociohet, kritika nuk trajtohet si debat, por si “keqinformim”, dhe pushteti monopolizon interpretimin e së vërtetës. Me këtë logjikë, realiteti përshtatet me pushtetin, jo anasjelltas.

Autoritarizmi diskursiv zakonisht shoqërohet me lodhje shoqërore – “s’ia vlen të flasësh” – rënie të besimit te institucionet deri te rritja e emigrimit.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas analistit politik, Afrim Kasolli, ka për qëllim ta ekspozojë veten si burimi i vetëm i së vërtetës dhe se çdo interpretim tjetër që derivon jashtë narracionit të kësaj partie mund “të jetë i manipuluar.

“Apo pjese e luftës hibride, portretizim armiqësor nga forcat e errëta, që ka për synim shtrembërimin e vetëdijes shoqërore duke e sajuar një realitet fals”, thotë ai për Albanian Post.

Një qasje e tillë, vlerëson Kasolli, nuk është asgjë tjetër, pos pjesë e skemës për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet të vërtetave alternative.

“Madje edhe me çmimin qe njerëzit të mos i besojnë gjendjes së tyre reale, por asaj qe aparati ideologjik dhe propagandistik e paraqet si realiteti i tyre i vetëm”.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe analisti politik, Agon Maliqi. Në vlerësimin e tij propaganda politike e pushtetit ka qenë dhe mbetet metodike – shtyllë qendrore e punës.

“Aftësia kryesore politike e Kurtit është aftësia e tij për t’i kornizuar debatet politike sipas interesit të tij dhe në shpërputhje me zhvillimet në terren. Veriu dhe amplifikimi i kërcënimit prej Serbisë e ofrojnë pretekstin kryesor për të mos u folur për rezultatet ekonomike”, thotë ai për Albanian Post.

Ankthi i sigurisë dhe traumat kolektive të së kaluarës, beson ai, janë të vetmet, sipas pushtetit, që mund ta zbusin shqetësimin me kostot e jetesës, e që sipas anketave është shqetësimi kryesor i qytetarëve.

“Prandaj, në vazhdimësi dhe në mënyrë metodike, krizat e sigurisë shërbejnë si levë shpërqendruese dhe zbutëse e çfarëdo tensioni në marrëdhënien qeveri–qytetar. Gjithsesi, të shoqëruara me disa masa dhe politika ekonomike të shënjestëruara për t’i shpërblyer financiarisht disa kategori të caktuara mbështetëse politike”, shton ai.

Çfarë pasoja mund të ketë kjo metodë e udhëheqjes?

Kasolli konsideron sesa më shumë që humbet kontakti ndërmjet realitetit dhe të vërtetave zyrtare, demokracia e humb karakterin e saj epistemik dhe shndërrohet në dogmë.

“Ne këtë mënyrë gjithçka bëhet e besueshme dhe asgjë e vërtetë. Kjo gjendje i shkon përshtati asaj që sot po quhet si ‘post-truth’ ku nuk kanë rëndësi faktet, por propaganda”.

Në anën tjetër, Maliqi potencon se votuesi kosovar ka një tendencë të ndjekë verbërisht një kurs politik pa kërkuar llogari, por të shpërthejë kur të dalin në sipërfaqe pasojat.

“Kjo gjë ka ndodhur me homogjenizimin kolektiv që ka ndodhur në vitet ’90 me Rugovën, kur pakënaqësia me kursin paqësor u akumulua deri në pikën ku shpërtheu lufta. Kjo gjë ka ndodhur edhe pas luftës, kur të njëjtit votues që e votonin një klasë politike, papritmas u rikujtuan me plebishit revolucionar se ‘që 20 vjet’ po vidhej. I njëjti shpërthim dhe ballafaqim me realitetin ka për të ndodhur edhe me Kurtin, sepse goditja e murit me kokë është e pashmangshme”.

Së fundmi, Kurti, gjatë një tubimi elektoral, tha se si pasojë e rritjes së madhe ekonomike në vend, Kosova nuk ka mjaftueshëm fuqi punëtore, andaj po detyrohet të transferojë punëtorë nga vende të tjera.

“Kam shkuar nëpër fabrika në zonën e Ferizajt, hyn brenda, dy inxhinierë, një nga Turqia tjetri nga Kina. Shkon te salduesi, salduesi prej Pakistani, shkon te agjustatori, prej Bangladeshi, shkon te elektricisti prej Filipineve, unë nuk kam asgjë kundër, kjo tregon që ekonomia jonë po rritet dhe nuk kemi mjaftueshëm fuqi punëtore sa kemi rritje të biznesit”, tha ai.

Megjithatë, vlerësimet zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëjnë të ditur se popullsia e Kosovës është zvogëluar në vitin 2024.

Sipas ASK-së numri i personave që janë larguar nga Kosova për të jetuar jashtë vendit gjatë vitit 2024 është vlerësuar të jetë gjithsej 37,451 banorë.

Pra, problemi kryesor i qeverisjes së LVV-së nuk qëndron vetëm te rezultatet konkrete, por te mënyra se si realiteti riformësohet përmes gjuhës dhe narracionit politik.