Përkeqësohet shëndeti i princeshës së Norvegjisë, ka nevojë për transplant mushkërish

Princesha norvegjeze Mette-Marit, e prekur nga një sëmundje kronike e mushkërive, do të duhet me shumë gjasa t’i nënshtrohet një transplanti të mushkërive pas një “përkeqësimi të dukshëm” të gjendjes së saj shëndetësore. Kështu ka njoftuar këtë të premte Pallati Mbretëror norvegjez.

Siç shkruan BBC, bashkëshortja 52-vjeçare e princit trashëgimtar Haakon vuan nga fibrozë pulmonare, një sëmundje e pashërueshme që shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe që e ka detyruar disa herë të marrë leje mjekësore ose të reduktojë programin e saj zyrtar.

Mette-Marit u diagnostikua me fibrozë pulmonare në vitin 2018, një sëmundje kronike dhe e pashërueshme që shkakton ngurtësim të mushkërive, vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të oksigjenit në gjak. Testet e kryera këtë vjeshtë treguan një përkeqësim të qartë, ndërsa mjekët e saj kanë nisur procesin e vlerësimit për transplant.

Dr. Are Martin Holm, drejtues i mjekësisë respiratore në Spitalin Universitar të Oslos, tha se “po arrijmë në pikën ku transplantimi i mushkërive do të jetë i domosdoshëm”. Princesha vetë pranoi për televizionin publik NRK se sëmundja po përparon “më shpejt se sa kishte shpresuar”.

Aktualisht, nuk është marrë ende vendimi për ta futur në listën e pritjes për transplant, ku zakonisht ndodhen 20 deri në 40 pacientë. Mjekët theksuan se princesha nuk do të ketë trajtim të veçantë nëse futet në listë, por po bëhen përgatitjet e nevojshme që operacioni të jetë i mundur kur të vijë koha.

Pallati Mbretëror deklaroi se princesha ka nevojë për më shumë pushim dhe një program të posaçëm ushtrimesh, por ajo ka shprehur dëshirë të fortë për të vazhduar detyrat e saj zyrtare, të cilat do të përshtaten sipas gjendjes shëndetësore.

Princi Haakon tha në një intervistë për NRK, se bashkëshortja e tij duket mirë kur është në qetësi, por ka vënë re se ajo e ka gjithnjë e më të vështirë frymëmarrjen dhe ka më pak energji. Aktivitetet që çifti pëlqente, si ecja në natyrë apo skijimi, nuk janë më të mundshme.

Transplanti i mushkërive shihet si zgjidhje e fundit dhe përfshin rreziqe të mëdha, përfshirë refuzimin e organit nga trupi.

Lajmi për gjendjen e princeshës vjen disa muaj pas akuzave të rënda ndaj djalit të saj, Marius Borg Høiby, i cili po përballet me 32 akuza penale, përfshirë katër raste përdhunimi. Ai ka mohuar akuzat më të rënda, por pritet të pranojë disa akuza më të lehta në gjyqin e ardhshëm.