Arben Mustafa, nga Partia Demokratike e Kosovës, i ftuar në Pressing në T7 ka folur për programin ekonomik të kësaj partie.
Ai ka thënë se së pari do të rikthehet komunikimi mes Qeverisë dhe Sektorit Privat, duke thënë se këta të fundit nuk do të shihen me sy armiqësor.
Ai ka thënë edhe se, PDK ka parapa reformë konkrete fiskale për sektorin privat.
‘’Fokusi i kandidatit tonë është ekonomia. Sa i përket sektorit privat, këtë ngritje të pagave, pensioneve, do ta bëjmë krahas një pakoje të fuqishme zhvillimore edhe për sektorin privat. Gjëja e parë që do ta bëjmë është rikthimi i komunikimit Qeveri-Sektor Privat. Nuk do ta shohim asnjëherë sektorin privat me një sy armiqësor. Dhe do t’i rikthehemi partneritetit. Kuadër të masave, programit tonë, kemi parapa një reformë konkrete fiskale për sektorin privat. Jemi zotuar se do ta ndryshojmë praktikën e mbledhjes së TVSH’së, për shkak se bizneset nuk duhet t’i paguajnë avans shtetit, duhet t’i paguajnë tatimin atëherë kur ta shesin produktin. Kemi një program të fuqishëm të mbështetjes së investimeve të sektorit privat në teknologji. Ne duhet ta ndihmojmë sektorin privat që ta rrit konkurueshmërinë në mënyrë që të jenë në gjendje që të konkurrojnë me konkurrentët nga vendet e zhvilluara. Në këtë mënyrë do ta rrisimin prodhimin, eksportin, do të kemi më shumë vende pune në Kosovë. Do të shlirojmë bizneset nga politika e padrejtë e tatimit në pronë që pritet së aplikuar nga viti i ardhshëm kur bizneseve do t’i ngritët tatimi në pronë deri në 200%’’, ka thënë ai.














