Sot, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Agim Fejzullahi, zhvilloi një takim me bashkëluftëtarët dhe me kryetarin e kësaj organizate, z. Hajdin Balaj.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, z. Fejzullahi bëri të ditur se, së bashku me përfaqësuesit e OVL të UÇK-së në Klinë, u diskutua gjendja aktuale e veteranëve të luftës, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, si dhe nevoja për trajtim më dinjitoz dhe institucional të këtyre kategorive, të cilat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ai theksoi se miratimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të jetë ndër prioritetet e para të Qeverisë së re. Po ashtu, z. Fejzullahi nënvizoi se këto çështje janë pjesë përbërëse e programit qeverisës të Kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, z. Bedri Hamza, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, program i cili synon forcimin e drejtësisë sociale dhe respektimin e vlerave të luftës çlirimtare.














