Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha në samitin e Bashkimit Evropian se Hungaria arriti ta parandalojë “angazhimin direkt të Evropës në luftë me Rusinë” dhe refuzoi të marrë pjesë në financimin e Ukrainës përmes kredi të reja evropiane.
Në një mesazh në rrjetin social X, Orban shkruante se negociatat në Bruksel zgjatën gjithë natën dhe se Hungaria së bashku me aleatët e saj bllokuan pjesën e propozimit për përdorimin e pasurive të ngrira ruse, duke shmangur, sipas tij, rrezikun e një “luftë të hapur”.
Ai tha se plani i diskutuar do të kishte vendosur Hungarinë përballë një barrë të madhe financiare dhe se ky sukses i mbron familjet hungareze.
Megjithatë, Orban konfirmoi se vendet e tjera të BE‑s kanë vendosur t’i japin Ukrainës ndihmë financiare për dy vitet e ardhshme përmes një kredie, duke theksuar se nëse Ukraina nuk e shlyen atë, shtetet evropiane do të jenë të detyruara të paguajnë vetë.
Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Çekinë dhe Sllovakinë dhe tha se këto vende nuk e mbështetën modelin e financimit, duke ruajtur kështu bashkëpunimin brenda Grupit të Visegradit.
Në fund, Orban deklaroi se edhe pse sipas tij është parandaluar rreziku i drejtpërdrejt i luftës, “përgatitjet për luftë në Bruksel duket se vazhdojnë”, dhe përsëriti se Hungaria dëshiron paqe dhe nuk do të lejojë që paratë e taksapaguesve hungarezë të përdoren për financimin e luftës.
Ndryshe, Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord për një kredi të paprecedentë riparimi për Ukrainën, prandaj vendosën të emetojnë borxh të përbashkët për të financuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për vendin.














