Festa me goma për fitoren e Pecit i shpërblehet mirë, Mon Neziri merr pozitë të rëndësishme në komunën e Mitrovicës

Dita kur Faton Peci shpalli fitoren në Mitrovicë të Jugut duket se i ka sjellë përfitime edhe Mon Nezirit, të riut i cili u pa tek mbante gomat e makinave lart dhe duke u gëzuar për rezultatin e Vetëvendosjes atje.

Prej dje, ai ka marrë një pozicion të rëndësishëm në Komunën e Mitrovicës.

Pamjet nga nata e fitores tregojnë simpatizantë që festojnë në një lokal, ndër ta edhe Mon Nezirin, duke marrë pjesë në festimet me goma, një simbolikë që lidhet me shprehjet e përdorura gjatë fushatës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili kundërkandidatin e PDK-së e kishte quajtur “gomë rezervë”.

Pak ditë pas këtyre festimeve, më 18 dhjetor, Neziri njoftoi publikisht se është emëruar pjesë e kabinetit të kryetarit Faton Peci në Komunën e Mitrovicës, duke falënderuar për besimin e dhënë:

 

“Të nderuar familjarë, miq dhe dashamirë, kam kënaqësinë të ndaj me ju se nga sot, më datë 18.12.2025, do të jem pjesë e kabinetit të Kryetarit, z. Faton Peci, në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Jam thellësisht falënderues dhe mirënjohës ndaj Kryetarit për vlerësimin dhe besimin e dhënë,” shkruan Neziri.