Drejtori ekzekutiv i Grupit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti, në një intervistë për RTV21 ka ngritur shqetësimin se mund të dëmtohet kredibiliteti i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për shkak të mungesës së organizatave kredibile ndërkombëtare për vëzhgimin e tyre. Rashiti vlerëson se pas zgjedhjeve, partitë politike nuk duhet të bëjnë përjashtime në bashkëpunim për formimin e institucioneve, Kuvendit, Qeverisë, por edhe për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Në zgjedhjet e shkurtit kemi pasur probleme me KQZ-në, me procesin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe rezultateve, si dhe incidente të vogla. Kësaj here, kjo frymë jo shumë e mirë e organizimit të zgjedhjeve ka kulmuar me situatën e 28 dhjetorit, kur nuk do të ketë organizatë kredibile ndërkombëtare që do t’i vëzhgojë dhe vlerësojë zgjedhjet.”, tha Rashiti.
Duke analizuar thirrjet e faktorit ndërkombëtar, SHBA-së dhe BE-së, të cilët po kërkojnë një Qeveri stabile që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Rashiti pret që pas zgjedhjeve liderët e partive politike të kenë sjellje ndryshe nga ajo bllokuese.
“Shpresa ime e madhe është që narracioni i keq i zgjedhjeve të 9 shkurtit të përmbyllet me këto zgjedhje, ku do të kemi një rezultat dhe një sjellje komplet ndryshe politike të liderëve të subjekteve politike, duke filluar nga LVV-ja. Të kemi një frymë tjetër politike për formimin e institucioneve, në veçanti duke pasur parasysh dëmin e bërë.”, u shpreh ai.
Rashiti ka listuar edhe tri prioritetet që duhet t’i ketë parasysh Qeveria e re në politikën e jashtme.
“Kosova, në katër vitet e ardhshme, duhet të ketë si objektiv marrjen e statusit të kandidatit në BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe fillimin e dialogut me NATO-n. Këto tri instrumente sjellin njohje të reja, investime të reja dhe programe të reja ndërkombëtare, si në aspektin e zhvillimit ashtu edhe të sigurisë. Nëse një Qeveri formohet ndryshe, ose nëse narracioni i këtij viti vazhdon edhe vitin tjetër, kjo është kundër këtyre tri agjendave. Atëherë dëshmohet se Kosova nuk është e gatshme të ndërtojë vizionin e saj shtetëror për qëllimet madhore që i ka definuar që nga shpallja e pavarësisë. Për këtë nevojiten marrëveshje të fuqishme politike, një koalicion i fuqishëm që i bën numrat, ose një bashkërendim shumë më i mirë me opozitën, cilado që të mbetet në opozitë. Nevoja për bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe për rritjen e besimit nga akterët ndërkombëtarë po rritet nga dita në ditë, jo po zvogëlohet. Ndërsa krekosja politike në Kosovë, që ka ndodhur vitet e fundit, sidomos në dy vitet e fundit, e ka minuar këtë bashkëpunim ndërkombëtar pa asnjë përfitim. Nuk ka përfituar Kosova, nuk është në pozicion më të mirë as brenda e as jashtë. Është keqmenaxhim.”, tha Rashiti.













