Analisti politik, Azdren Shala ka folur në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova për ngjarjet e vitit 2016 dhe për rastet që lidhen me Vetëvendosjen, duke i cilësuar ato si momente kulmore të tensioneve politike në vend.
Sipas Shalës, kulmi i asaj periudhe ka qenë rasti i goditjes me zollë, ku u arrestuan gjashtë aktivistë, të cilët në fund u shpallën të pafajshëm. Ai theksoi se edhe sot nuk ka përgjigje se kush ishte përgjegjës për këtë rast dhe se zyrtarisht nuk ka asnjë fajtor.
Megjithatë, ai foli më shumë rreth moszbardhjes së vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ani pse kjo parti para se të vinte në pushtet, kishte premtuar se do t’i bënte drejtësi rastit të tij.
Sipas Shalës, rasti i Deharit nuk u zbardh asnjëherë pasi Vetëvendosjes i duhet vota.
“Problemin e kam me këta të tjerët që janë në pushtet, sepse në atë kohë kanë akuzuar për pengmarrje e burgim të aktivistëve të pafajshëm, a e pa procesin në fund. Shteti doli që nuk gabon, nuk dolën prova nuk u gjetën prova, dhe në fund dolën ta pafajshëm. Jemi duke folur për një situatë kur Vetëvendosje ishte në prag të një lufte civile. Aktivistët kanë rënë në burg duke i besuar përnjëmend. Këtu tani është kleçka që heshtin këta. Sepse kanë pasur një plan më të madh sesa goditja me zollë”.
“E kemi thënë edhe më parë, nuk mundet me e zbardh rastin e Astrit Deharit Vetëvendosja. Është një figurë që ka përfunduar në mënyrë tragjike, një djalë i ri, me jetë përpara, 25 vjet i ka pas 26, me ambicie për jetë. Tash çka ka ndodh, në momentin e vdekjes ka ndodh një iniciativë për me kapitalizu këtë vdekje. Tërë kohën pas vdekjes së tij kemi pasur protesta që na është vrarë një aktivist në burg, kjo është një përndjekje politike ndaj Vetëvendosjes nga ish-pushteti, mandej kjo përndjekje e ka marr formën e një vrasje në burg që është Astrit Dehari. Vetëvendosja e ka akuzuar shtetin se ia ka vrarë aktivistin pa dalë asnjë vendim gjykate. Kemi pasur edhe ekspertiza të Institutit, këta vazhdojnë me temën e njëjtë. Pse nuk e zbardhin? Sepse iu duhet vota”, tha Shala.













