Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar për aksionin e zhvilluar me datën 18 dhjetor e ku janë arrestuar disa persona të dyshuar për vepra penale si keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi, deklarim i rremë e mashtrim.
Në këtë njoftim të Policisë së Kosovës është treguar se tre të dyshuar janë kapur në flagrancë duke shkëmbyer 9 mijë e 900 euro, si pjesë e marrëveshjes për ndarje të ryshfetit.
“Prishtinë 18.12.2025 17:40. Policia e Kosovës, respektivisht DHKEK, pas hetimeve të zhvilluara me autorizim të PSRK-së, ka kapur në flagrancë tre të dyshuar duke shkëmbyer para në vlerë të 9900€ si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit. Në koordinim me prokurorinë, njësitet policore kanë vazhduar me kontroll në pesë lokacione, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim; para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një llaptop, etj,. si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion. Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë të dyshuar ( gjashtë meshkuj dhe një femër kosovare ) dhe të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë në njoftimin e Prokurorisë Speciale për këtë aksion, tregohet se janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri e vetura.













