Deda: Paqja dhe e ardhmja demokratike e Kosovës interes strategjik i SHBA-së, sanksione për korrupsion dhe mbështetje për NATO-n

Mbrëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fuqi Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili përcakton edhe politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Sipas këtij ligji, paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës dhe e gjithë rajonit konsiderohen interes strategjik i SHBA-së.

Analisti politik Ilir Deda ka bërë të ditur se ligji parasheh një sërë autorizimesh dhe qëllimesh politike që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet në rajon.

“Autorizon Presidentin e SHBA të vendosë sanksione ndaj çdo udhëheqësi e zyrtari të lartë në cilindo shtet të Ballkanit Perëndimor që është i përfshirë në korrupsion apo ka qëllime korruptive, që punon kundër integritetit territorial të cilitdo shtet në Ballkanin Perëndimor, që shkel rendin demokratik apo politika e të cilit shkel masivisht të drejtat e njeriut”, ka shkruar Deda i cili ka numëruar edhe qëllimet e tjera të këtij ligji, ndër të cilët sipas tij është edhe mbështetja e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.