Propaganda e VV-së merr edhe një goditje: Pas analizës së MPJD-së, KQZ mbyllë edhe 8 përfaqësi diplomatike për votim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rishikuar për herë të dytë vendimin e tij për qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike ku do të organizohet votimi më 27 dhjetor.

Në mbledhjen e ditës së enjte, KQZ ka miratuar rekomandimin lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës, në të cilat janë regjistruar numër i vogël i votuesve.

Anëtarët e KQZ-së mbështetën rekomandimin që votimi të mos zhvillohet në 8-të përfaqësitë diplomatike në vijim dhe të udhëzohen votuesit që të votojnë përmes postës: Ankara – Turqi (16 votues), Shkup – Maqedoni e Veriut (14 votues), Kanbera – Australi (10 votues), Abu Dhabi – Emiratat e Bashkuara Arabe (10 votues), Ioëa – ShBA (8 votues), Podgoricë – Mali i Zi (6 votues), Tiranë – Shqipëri (4 votues) dhe Tokio – Japoni (2 votues).

Ky ndryshim i vendimit është bërë nga KQZ pas analizës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e drejtuar nga Donika Gërvalla – Shëarz.

“Në këtë mbledhje, duke u bazuar në analizën dhe vlerësimin logjistik të MPJD-së, të kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së, KQZ ploësoi dhe ndryshoi vendimin për Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pas këtij vendimi, votuesit e regjistruar të këtyre përfaqësive diplomatike, do të kalojnë për votim me postë”, ka njoftuar KQZ-ja pas mbledhjes, duke dhënë detaje tjera.

“Më 15 dhjetor 2025, KQZ ka pranuar analizën e MPJD-së, e cila evidenton se në disa përfaqësi diplomatike kapacitetet e stafit nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve minimale sipas rregulloreve zgjedhore për menaxher të Qendrave të Votimit dhe anëtarë të Këshillave të Vendvotime, nëse subjektet politike nuk dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, analiza thekson sfida shtesë operative, logjistike dhe financiare, përfshirë nevojën për viza dhe distancat e largëta, duke rekomanduar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së Nr. 01/3784-2025 për votim fizik në përfaqësitë përkatëse”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Në vendimin e parë të 26 nëntorit, KQZ planifikonte votimin në 50 përfaqësi diplomatike, derisa në vendimin e dytë të 10 dhjetorit ky numër ishte zbritur në 37, për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar. Sikur kjo të mos mjaftonte, KQZ ka bërë edhe një ndërhyrje në planifikimin e votimit fizik jashtë vendit, duke zbritur numrin e përfaqësive në 29.

“Pas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 Ambasada dhe 13 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. ”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).