Rama del nga Haga: E gjeta Komandantin në formë, të qetë e me karakter të hekurt – folëm për miqtë e përbashkët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përfunduar takimin e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë.

Objektin e Gjykatës Speciale ku po gjykohet Thaçi, Rama e ka quajtur “godinë ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare”, ndërsa për Thaçin ka thënë se “u rrëmbye pa gjyq e as akuzë” nga zyra e Presidentit të Kosovës,.

Ai ka thënë se Thaçin “nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në strasburg, duke e vazhduar me lloj lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut””, ka shtuar Rama duke shkruar për gjendjen e Thaçit në Hagë.

Ai ka vazhduar ta quaj padrejtësi, Gjykatën Speciale në Hagë.

“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, ka shtuar Rama. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i tij: