Detaje të reja nga rasti i të moshuarave në Junik, policia u lajmërua nga qytetarët

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e një të moshuare në Junik, dhe gjetjes së një tjetre pa vetëdije në një shtëpi në lagjen Pepsh.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova tha për Klankosova.tv se qytetarët kishin njoftuar zyrtarët policorë se në një shtëpi ku jetonin dy gra të moshuara, nuk po e hapin telefonin dhe familjarët janë të brengosur, transmeton Periskopi.

Me të dalë në vendin e ngjarjes, Policia kishte hasur dy gra të shtrira, derisa ekipi mjekësor ka konstatuar se njëra nga viktimat është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar me autoambulancë në spitalin e Gjakovës, e më pas ne QKUK për tretman mjekësor.

“Me datë 17.12.2025, rreth orës 15:15, Policia është njoftuar nga qytetaret se në lagjen Pepsh në Junik, në një shtëpi ku jetonin dy gra të moshuara, nuk po e hapin telefonin dhe familjarët janë të brengosur, Policia menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes, brenda shtëpisë ishin dy gra të shtrira, ne vendngjarje kanë dalë edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar se njëra nga viktimat, është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar me autoambulancë në spitalin e Gjakovës, e më pas ne QKUK-Prishtine, për tretman mjekësor”, thuhet në përgjigjen e Rugovës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar ne IML për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të policisë në Pejë.