Erdogan e ka ngritur këtë çështje javën e kaluar në bisedimet me presidentin rus.
Turqia po shqyrton mundësinë e rikthimit të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, të blerë gati një dekadë më parë.
Kjo, në një përpjekje për të riparuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për t’u rikthyer në programin e avionëve luftarakë F-35, raporton Bloomberg.
Sipas burimeve të cituara, presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka ngritur këtë çështje javën e kaluar në bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin, megjithëse Kremlini ka mohuar se një kërkesë e tillë është paraqitur zyrtarisht.
Washington-i ka ushtruar prej vitesh presion ndaj Ankarasë që të heqë dorë nga S-400, duke argumentuar se sistemi rus përbën rrezik për sigurinë e NATO-s.
Blerja e tij çoi në vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj Turqisë dhe në përjashtimin e saj nga programi F-35 në vitin 2019.
Dorëzimi ose largimi i sistemit S-400 mund të hapë rrugën për heqjen e sanksioneve dhe rikthimin e bashkëpunimit ushtarak mes Turqisë dhe SHBA-ve.
Paralelisht, Ankaraja po kërkon edhe një formë rimbursimi nga Rusia për sistemin, që mund të realizohet përmes marrëveshjeve kompensuese në sektorin e energjisë.












