Gjermania nuk lejon që politikanët e huaj të bëjnë fushatë në territorin e saj më pak se tre muaj para zgjedhjeve.
E këtë rregull, të hënën e 10 dhjetorit, u përkujdes t’ua përkujtonte politikanëve shqiptarë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Megjithatë, pikërisht në ditën kur u publikua ky njoftim, dikush nga pushtetarët u kujdes që ta shkelë këtë rregull gjerman. Bëhet fjalë për ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Kosovës, raporton Kiks Kosova.
Xhelal Sveçla, bashkë me zyrtarët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Andan Rrustemi dhe Luan Aliu, po atë ditë bënë fushatë në Gjermani. Treshja, e cila është në garë për deputet, shkoi t’ua kërkojë votën mërgimtarëve në Puttlingen, në kundërshtim me ligjin gjerman, i cili ndalon aktivitete të fushatës politike nga politikanë të huaj më pak se tre muaj para zgjedhjeve.
E nga Gjermania, Sveçla, këtë herë me Saranda Bogujevcin, udhëtoi drejt Londrës, për të vazhduar atje fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje. Para bashkatdhetarëve, Sveçla foli për reformat në Prokurori e për kriminelët e mëdhenj.
Bashkpartiakja e tij, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, fushatën e bëri në hapësirat e konsullatës në Cyrih. Dhjetë ditë më parë, më 7 dhjetor, ajo publikoi fotografi nga siç u shpreh ajo, bashkëbisedimi me studentët shqiptarë në Zvicër.
Tubimi shihet se është mbajtur në hapësirat e konsullatës së Kosovës në Cyrih, e në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i misionit konsullor, Vigan Berisha.
Në Cyrih disa ditë më vonë, shkoi për fushatë edhe shefi i tyre, Albin Kurti. Aty, njëra nga kandidatët për deputete pati një befasi për të.
Këngëtarja Edona Llalloshi ia dedikoi atij një këngë në të cilën përmendte “kërcitjen e topit” e “shkrepjen e pushkës” nga ai, si antitezë e turpit. Por, ky dedikim nuk i pëlqeu mikut më të mirë të Kurtit.
Në një intervistë në T7, Glauk Konjufca deklaroi se këngët dhe përmendoret u kushtohen personaliteteve pas vdekjes së tyre dhe vetëm në qoftë se historia dëshmon se ata ishin heronj a figura me peshë të madhe historike.
Konjufca nuk ishte i pranishëm në tubimin në Cyrih kur kjo këngë iu kushtua Kurtit, pasi që në atë kohë ishte duke bërë fushatë në Gjenevë, rreth 280 km larg.
Udhëtimin në Zvicër, ai e bëri nga Franca ku pati dy tubime zgjedhore me mërgimtarët atje, një në Lion e një në Annecy.
Vetëvendosje u aktivizua që fushatën ta shtrijë pothuajse në çdo vend ku ka shqiptarë të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit e bënë në Norvegji, Suedi e Danimarkë. /Klankosova.tv











