Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në fjalën e tij në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së është shprehur se Qeveria është zhytur në korrupsione e nepotizëm.
Ai gjithashtu përmendi skandalet me energjinë dhe rezervat shtetërore, derisa tha se si pasojë, jeta e qytetarëve është vështirësuar.
“Na, PDK-ja, jemi shpi e madhe. E kemi pasë një grupacion politik, që s’ia vlenë as me ua përmend emrin, as partinë e as personat. Këta individë kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës, në çdo etapë të saj, e sulmojnë gjithkënd”.
“I sulmojnë partitë, mediat, gjykatat, komunat dhe në këtë mënyrë mendojnë që çdo gjë do të jetë në rregull. Qeveri e zhytur në korrupsione e nepotizëm. Skandalet me energji dhe rezerva shtetërore. Për pasojë, jeta e qytetarëve është vështirësuar”, u shpreh ai.
Totaj foli edhe për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke thënë se është dukshëm më i miri.
“Kandidati jonë është dukshëm më i mirë se secili kandidat për kryeministër. Ne si parti nuk i limitojmë sfidat, i sfidojmë limitet. Të bashkuar, me unitet, të lëvizim drejt 28 dhjetorit, që do të na sjellë rezultat të mirë, qeverinë me në krye Bedri Hamza”, u shpreh ai.












