Para zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka rënë edhe një propagandë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndonëse zyrtarët e VV-së ishin shprehur të bindur se zarfet e postes me fletëvotimet origjinale nuk do të mund të shkonin me kohë te votuesve në diasporë, ato tashmë kanë arritur në adresat e duhura.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar KQZ-ja dhe shumë mërgimtarë që kanë marrë zarfet.
Gazeta Nacionale ka mësuar se pjesa më e madhe e fletëvotimeve të dedikuara për diasporën janë shpërndarë në adresat e votuesve jashtë Kosovës në një afat rekord.
Një anëtar i KQZ-së në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës se pavarësisht ngarkesës së shërbimeve postare, deri tash KQZ-ja ka arritur me sukses t’i shpërndajë pjesën më të madhe të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë.
“Pavarësisht ngarkesës së shtuar të shërbimeve postare gjatë festave të fundvitit, deri tash KQZ ka arritur me sukses t’i shpërndajë pjesën më të madhe të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës”, ka thënë anëtarët e KQZ-së.
Të dielën e 14 dhjetorit KQZ-ja ka filluar shpërndarjen e pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar për votim me postë.
Sipas planifikimeve të KQZ-së, shpërndarja e fletëvotimeve për votuesit në Evropë do të bëhet nga 16 – 18 dhjetor, kurse për votuesit jashtë kontinentit evropian do të bëhet nga 17 – 19 dhjetor.
Arritjen e fletëvotimeve origjinale në adresat e duhura e kanë konfirmuar edhe votuesit nga diaspora.
Në rrjetet e tyre sociale, ata kanë filluar që në rrjete sociale të publikojnë pakot që kanë pranuar nga KQZ.


VV-ja nuk besonte: “PLDAKSrpska” po e bllokojnë mërgatën
Anëtarët e VV-së në KQZ-së nuk besoni se fletëvotimet origjinale do të arrinin me kohë në diasporë.
Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur në 25 nëntor, ky institucion kishte miratuar projektbuxhetin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Në këtë mbledhje, anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, kishte kritikuar ashpër opozitën, e cila ishte që fletëvotimet votuesve jashtë vendit të iu dërgohen me postë dhe jo me anë të emalit, siç kërkonte VV-ja.
Krasniqi as pas mbledhjes nuk i kishte ndalur akuzat ndaj opozitës.
Në një status në profilin e tij në “Facebook”, ai e kishte lidhur opozitën me Listën Serbe.

Në 25 nëntor, mes kundërshtimeve të fuqishme të përfaqësuesve të VV-së, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, përfaqësuesit e ish-partive opozitare (PDK, LDK dhe AAK) kishin arritur që të përfshinin në planifikim buxhetor zbatimin e rregullores së KQZ-së për regjistrimin dhe votimin e diasporës. Sipas rregullores të miratuar nga vet KQZ, ky institucion obligohet që votuesve jashtë Kosovës t’ua dërgojë me postë pakon me fletëvotimin origjinal.
Me këtë nuk ishin pajtuar përfaqësuesit e VV-së në KQZ, pasi që kërkonin që mërgimtarëve t’u dërgoheshin në e-mail fletëvotimet.
Sipas përfaqësuesve të ish-opozitës, kjo mund të rrezikonte integritetin e votimit. Pavarësisht këtyre kritikave, edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kishte mbështetur buxhetin e propozuar nga sekretariati i KQZ-së, pa pjesën e planifikuar që do të mbulonte shpenzimet për dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve të regjistruar.
Në fund të debatit, shumicën e votave i kishte marrë propozimi që përfshinte në planifikim buxhetor zbatimin e rregullores së KQZ-së për regjistrimin dhe votimin e diasporës, e cila e obligon KQZ-në që votuesve jashtë Kosovës t’ua dërgojë me postë pakon me fletëvotimin origjinal.












