Kosova i ka lëshuar licencë kompanisë “Energy Financing Team” (EFT) gjatë periudhës së qeverisjes Kurti 2. Dokumenti që e dëshmon këtë vendim u publikua nga ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu, i cili nxori licencimin e EFT-së nga Zyra e Rregullatorit për Energji, kompani kjo në pronësi të biznesmenit Vuk Hamoviq.
Ky fakt bie në kundërshtim me një qëndrim të ashpër të kryeministrit Albin Kurti. Vetëm dy vjet para se kjo licencë të nënshkruhej, Kurti kishte një diskurs krejtësisht tjetër ndaj EFT-së.
Më 11 nëntor 2019, në një intervistë për Report TV, ai i bënte thirrje publike Qeverisë së Edi Ramës që dy qeveritë ta largonin EFT-në nga tregu energjetik.
Madje, Kurti shkonte aq larg sa e lidhte legjitimitetin e lidershipit shqiptar me largimin e kësaj kompanie.
“Hap më i rëndësishëm se të bëjmë gjëra simbolike, me daulle e tupana, sipër apo poshtë Shkumbinit, është që ta heqim EFT-në. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë duhet ta heqin këtë EFT-në. EFT-ja duhet të marrë fund. Nuk mund t’i themi vetes shqiptarë, e liderë shqiptarë, e përfaqësues shqiptarë, nëse vazhdon të na dominojë EFT-ja” – kishte deklaruar Kurti, transmeton Klankosova.tv
Megjithatë, EFT jo vetëm që nuk “mori fund”, por përkundrazi, mori dritën e gjelbër institucionale pikërisht gjatë qeverisjes së Kurtit.
Kështu deklaroi Lahu, i cili në një paraqitje të fundit tha se licenca për EFT-në është dhënë në kohën kur kryesuesi dhe gjysma e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji ishin emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje. /Klankosova.tv













