Shkrimi famëkeq anti-UÇK: Konjufca nuk e arsyeton Bashën: “Bashkëautori, kur s’pajtohet, e përmirëson”

Katër punime i ka në bashkëautorësi, përkatësisht bashkëpronësi intelektuale, Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, me ‘studiuesen’ maqedonase, Jana Arsovska. CV-ja e kësaj të fundës në uebfaqen dhe profilin e saj zyrtar, me një CRTL-F (find) të shpejtë, të gjen katër rezultate, katër shkrime të dhëna për botën akademike të dyshes Arsovska & Basha. Maqedonasja është e specializuar në anti-shqiptarizëm që (nën)kuptohet nga vëllimi dhe fiksimi i saj me “kriminalitetin e shqiptarëve” (titulli i doktoraturës dhe veprës së saj më të arritur: Dekodimi i Krimit te Shqiptarët) e deri te një bibliografi e tërë me tema të ngjashme, për të gjetur apoteozën te portretimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si formacion ushtarak i formuar, armatosr dhe mirëmbajtur nga “para të drogës”. Pyetja, më indinjuesa, që publiku kosovar ka shtruar, është çka ka kërkuar Dimal Basha të jetë bashkëudhëtar akademik me një studiuese namkeqe ndaj shqiptarëve. Basha u pati arsyetuar se ka kontribuar vetëm në një kapitull për islamin radikal, por edhe brenda punimit famëkeq anti-UÇK aty janë edhe dy referenca tjera “Arsovksa & Basha” të punimeve tjera bashkëautoriale.

Tashmë kur zgjedhjet parlamentare s’kanë mbetur as dy javë, çështja e Dimal Bashës, iu ngrit si pyetje pararendësit të tij, Glauk Konjufcës. Ky i fundit jo edhe aq i ngrohtë ndaj Dimal Bashës, çka ka qenë e vërejtshme në mos-adresime ndaj tij, ose adresime të ftohta e deri te heqja e emrit të tij nga “kabineti qeveritar” në tentativë për formimin e Qeveirsë Konjufca 1. Ndonëse Albin Kurti e pati propozuar për Ministër të Infrastrukturës, Konjufca 1 e hoqi dhe zëvendësoi me Besnik Bislimin. Në Pressing të T7, Konjufa u pyet nga gazetari Leonard Kerquki të jep një qëndirm për shkrimin famëkeq të nënshkruar autorialisht nga Basha.

Konjufca vërejti se është “distancuar” Dimal Basha por shpjegoi se çka është bashkëautorësia si pronë e përbashkët intelektuale, dhe shtoi se është dashur ta përmirësojë “nëse s’është pajtuar” kur ka qenë botuar.

“Ai e ka sqaru dhe distancu prej asaj, që kolegia e vet e ka bë atë pjesë. Unë megjithatë mendoj që përgjegjësia e tij është që kur bëhen ato punime dhe përbëhen prej dy autorëve, autorët duhet me kqyr njëni tjetrin dhe përmirësu njëni tjetrin nëse s’pajtohen”, tha Glauk Konjufca, i dyti i Vetëvendosjes.

Çka thuhet në atë punim?

Dimal Basha kishte gjetur për kolege të besuar një ‘studiuese’ rrënjësisht antishqiptare në bibliografinë e vet: Jana Arsovska; tash asistente në fakultetin ku ka diplomuar Basha dhe me të cilën ka shkruar në bashkëautorësi artikull famëkeq ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminale e financuar nga trafikantë të drogës dhe të njerëzve.

Artikulli ‘shkencor’ i Dimal Bashës trazoi opinionin e gjerë me fjalët që u zbuluan të jenë thënë për UÇK-në si organizatë në themel “e krimit dhe trafikantëve të drogës”.

Por, ‘mentorja’ e Dimal Bashës, bashkëautorja e tij, Jana Arsovska – del të jetë një rezervuare e madhe shkrimesh të demonizimit të UÇK-së, luftës së saj, dhe veprimtarisë çlirimtare.

Nacionale ka lexuar librin e Jana Arsovskës, koleges së besuar akademike të Dimal Bashës, ku përmbahet një mal denoncimesh dhe referencash të errëta ndaj UÇK-së:

Libri mban titullin: “Dekodim i Krimit të Organizuar Shqiptar”.

Arsovska shkruan se shqiptarët duke mbështetur UÇK-në i kontribuan “zhvillimit të një lidhje kriminale politike” dhe vazhdon të thotë se UÇK u financua “nga operacione të drogës në Kosovë dhe shqiptarëve në Perëndim”.

Arsovska shkruan për Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin, si drejtues të UÇK-së dhe politikanë të pasluftës, ishin “thellësisht të implikuar në tregtimin e drogës”.

Ajo vazhdon të citojë një person me emrin Besmir, duke pretenduar se ka lënë “plumba” në dyert e atyre që s’kanë dhënë para për UÇK-në. “Shuma të mëdha parash erdhën nga klube nate, diskoteka dhe operacione truprojesh, dhe eksploatimi ra në duar të famëkeqin Besmir dhe familjes së tij”.

Mëpastaj ajo thuajse biblikisht citon senatorin zviceran Dick Marty-in për “trafikim organesh”.

“UÇK u krijua në paralel me LDK-në në 1993. UÇK mblodhi bashkë grupe të shumta militantësh dhe individë që synuan çlirimit përmes luftës së armatosur. Rangjet u saj u mbushën me personazhe të llojllojshme, prej grupe të organizuara kriminale, dhe ndjekës marksist-leninist”, shkruan ajo.

“Mbështetja financiare e UÇK-së…nga bandidtë patriotikë përgjatë Evropës dhe ShBA-së…Trafikantë të drogës gjithashtu dërguan njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së”, shkruan ajo dhe përfundon se trafikantë të drogës “mbështetën UÇK-në ose përmes parave ose përmes blerjes së armëve”.