Policia ka njoftuar qytetarët në lidhje me qarkullimin e emailave të rreme me informacione të rreme, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto që kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Përmes këtyre emailave të rreme, policia njofton se janë dërguar disa thirrje gjyqësore.
“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim.











