Fushata e Osmnait| Presidentja “rastësisht” organizon tubim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve

Osmani do të organizojë takim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve, më 26 dhjetor. Në ftesë theksohet se ky është një takim tradicional, por nga kërkimet e lajmeve për ndejat e fundvitit, nuk rezulton që Osmani të ketë pasur një tubim të tillë në dhjetor.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur të jetë aktive këtë dhjetor, çuditërisht në një muaj fushate elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit – datë që ajo e caktoi po ashtu çuditërisht, ashtu siç kërkoi Vetëvendosje.

Në një postim në Facebook, të publikuar nga një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, thuhet se Osmani do të organizojë takim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve, më 26 dhjetor.

Ky tubim, siç thuhet në ftesë, bëhet “në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për kontributin e mërgatës”.

Takimi është planifikuar të mbahet në Hotel Emerald, në ora 18:00.

Në ftesë theksohet se ky është një takim tradicional, por nga kërkimet e lajmeve për ndejat e fundvitit, nuk rezulton që Osmani të ketë pasur një tubim të tillë në dhjetor.

Takimin tradicional e ka mbajtur gjatë verës, dhe edhe në ftesën e asaj kohe, ai takim veror quhej tradicional.

Pra, ky do të jetë takimi i dytë tradicional brenda të njëjtit vit.

Në të vërtetë, koha e verës edhe konsiderohet si koha kur mërgimtarët vijnë në numër të madh në Kosovë.

Gjatë gjithë këtij viti, Osmani është parë se ka mbajtur qartë linjën e Vetëvendosjes në betejën në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo nuk e kishte dënuar gjuhën e VV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese – madje kishte thënë se “Gjykata nuk është shenjtëri”.

Ia kishte dhënë dy herë mandatin Vetëvendosjes, ani pse në provën e parë kjo parti kishte dëshmuar se nuk i kishte numrat.

Të hënën, sot, Osmani shkoi për vizitë për urim të detyrës te ish-bashkëpartiaku i saj, Faton Peci, i cili u zgjodh kryetar i Mitrovicës.

Nuk kishte ndodhur gjatë mandatit të saj që të shkonte për “përhajr” te ndonjë kryetar komune.