Të prekshëm janë treguar sot përfaqësues të Presidencës.
Kanë mjaftuar disa kritika në drejtim të presidentes Vjosa Osmani, dhe një kabinet i tërë janë hedhur në mbrojtje.
Kjo në ditën e vizitës së Vjosa Osmanit në Mitrovicë, e cila qysh në ditën e parë të punës për Faton Peci, zgjodhi të shkojë e t’ia urojë.
Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, reagoi për këtë vizitë, duke thënë se “presidentja na paska turpëruar”.
“Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me urue një kryetar, po nuk ka shku me urue askënd tjetër. Kjo, jo vetëm që është diçka e pazakont, por edhe është turp i madh për shkak të asaj që çka krejt ekspozon kjo aferë. Pse? Për shkak se ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme si e kërkon kushtetuta. Po tregon që edhe ajo ka hise në fitoren e Mitrovicës. Pse nuk shkoi me urue në Prizren apo Prishtinë? Ferizaj? E ndoshta, ajo edhe e paska bë ndarjen e LDK-së në Vushtrri dhe gjithë ato situata ku pa lejen e kryesisë u bë marrëveshja me LVV”, ka shkruar Muharremi.
Fillimisht, Muharremit i komentoi këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitia.
E më pas, këshilltari tjetër, Bekim Kupina, ia dedikoi një postim Muharremit. Aty, përmendi pazare politike, frikë e çka jo tjetër.
“Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale. Sa i përket pretendimit për “hise në fitore”, “ndarje partish”, apo “pozicionim për kthim në politikë”, këto janë spekulime, pa asnjë provë, të cilat synojnë denigrimin e Presidentes. Edhe pretendimet për procesin e mandatimit janë të konsumuara, të sqaruara dhe të bazuara në interpretime selektive, jo në shkelje kushtetuese. Vendimet janë marrë brenda kompetencave kushtetuese, dhe dështimet politike nuk mund t’ia faturoni Presidentes. Në fund, problemi nuk është Presidentja. Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike”, ka shkruar Kupina.
Osmanin e kritikoi edhe ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti.
E Hotit i reagoi ish-deputetja e GUXO, Jeta Statovci.
“LDK përmes Avdullah Hotit paska vazhduar sulmet irracionale ndaj Presidentes Vjosa Osmani. Si duket, LDK nuk po del dot nga pasoja që i ka shkaktuar vetes 5 vite më parë, kur përjashtuan figurën më të fuqishme politike, pikërisht Presidenten. Çfarë mëkati qenka që Presidentja e shtetit, të vizitoj një Kryetar komune? Për më tepër që, të gjithë e dimë çfarë rëndësie ka Mitrovica për sigurinë, bashkëjetesen dhe stabilitetin e Kosovës. Presidentja Osmani ka vizituar edhe më parë këtë qytet, edhe kur Kryetar në Mitrovicë nuk ka qenë Faton Peci. Por, LDK reagoi menjëherë e me panikë kur u vizitua Faton Peci, e kuptueshme me çfarë motivi”, ka shkruar Statovci.









