Ahmed al-Ahmed veproi sepse “nuk duronte të shihte njerëz që vdisnin”, thotë familja e tij.
Brenda pak orësh, mijëra persona nga e gjithë bota kanë dhuruar shuma të konsiderueshme për të ndihmuar financiarisht Ahmed al-Ahmed, qytetarin që u kthye në hero gjatë sulmit terrorist në Bondi Beach, pasi neutralizoi dhe çarmatosi njërin prej autorëve.
Më shumë se 1.2 milionë dollarë janë mbledhur përmes një fushate në GoFundMe, e nisur të dielën e 14 dhjetorit nga influenceri Zachery Dereniowski, i ndjekur nga afro 9 milionë persona në Instagram, në bashkëpunim me kompaninë australiane Car Hub Australia.
Qëllimi i fushatës ishte, sipas organizatorëve, “të shprehej mirënjohje dhe mbështetje për një njeri që tregoi guxim të jashtëzakonshëm kur ishte më e nevojshme”.
Ahmed al-Ahmed, 43 vjeç, u filmua teksa i hidhej sulmuesit dhe i rrëmbente armën nga duart, duke ndalur përkohësisht sulmin.
Gjatë përplasjes, ai u qëllua dy herë nga autori i dytë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Gjendja e tij shëndetësore raportohet tashmë e stabilizuar.
Familjarët thonë se veprimi i tij ishte thjesht humanitar.
“Ai nuk mund të duronte të shihte njerëz që po vdisnin”, deklaroi familja, duke shtuar se Ahmed nuk vepron mbi baza dallimi.
“Ai nuk diskriminon. Do të bënte gjithçka për të mbrojtur këdo”, tha babai i tij.
Ahmed al-Ahmed, shtetas australian me origjinë siriane, u ka thënë të afërmve se nuk ka asnjë pendesë për atë që bëri.
Sipas tyre, ai beson se “Zoti i dha guximin” për të vepruar në atë moment kritik.
Nga mbi 16 mijë dhurime të regjistruara, shumat variojnë nga 10 dollarë deri në mijëra.
Dhurimi më i madh, 99 mijë e 999 dollarë, është bërë nga miliarderi amerikan dhe menaxheri i fondeve të investimit, William Ackman.











