Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni në Mitrovicë, ku ajo ka uruar vetëm një kryetar komune, duke e cilësuar këtë veprim si të pazakontë dhe problematik nga aspekti kushtetues.
Sipas Muharremit, fakti që Presidentja ka zgjedhur të shkojë vetëm në Mitrovicë për të uruar një kryetar, ndërkohë që nuk ka bërë të njëjtën gjë në komuna të tjera si Prizreni, Prishtina apo Ferizaj, tregon mungesë të paanshmërisë që kërkohet nga roli i saj institucional.
Ai vlerëson se këto veprime ekspozojnë përfshirjen e Presidentes në zhvillime politike dhe elektorale, duke aloduar se ajo “ka hise” në fitoren në Mitrovicë. Sipas tij, kjo sjellje bie ndesh me obligimin kushtetues që Presidentja të jetë mbi palët politike.
Muharremi gjithashtu përmend raste të tjera, përfshirë përçarjen brenda LDK-së në Vushtrri dhe marrëveshjet e bëra pa miratimin e kryesisë së partisë, duke ngritur dyshime për rolin e Osmanit në këto procese.
Në reagimin e tij, analisti thekson se Presidentja duket se po pozicionohet për një rikthim aktiv në politikë, por nënvizon se derisa mban postin e Presidentes, ajo duhet të ruajë paanshmërinë dhe të mbrojë integritetin e institucionit që përfaqëson.
Ai përmend edhe çështjen e mandatimit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin Osmani e kishte mbështetur pavarësisht mungesës së provave të mjaftueshme, proces që më pas kishte dështuar, duke e konsideruar këtë si një tjetër tregues të mungesës së pavarësisë së saj politike.
Sipas Muharremit, të gjitha këto veprime përbëjnë fakte dhe argumente që, sipas tij, tregojnë se Presidentja Osmani nuk ka vepruar në përputhje me rolin e pavarur dhe unifikues që kërkon Kushtetuta e Kosovës. /Demokracia.com/










