Siri: Vrasësi i tre amerikanëve ishte pjesë e forcave të sigurisë

Damasku pranon se vrasësi dyshohej për ekstremizëm islamist.

Autori i sulmit ku u vranë tre shtetas amerikanë në Siri ishte anëtar i forcave të sigurisë siriane dhe dyshohej për “ide ekstremiste islamiste”, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Sirisë.

Sipas autoriteteve, ai kishte qenë pjesë e forcave të Sigurisë së Përgjithshme për më shumë se dhjetë muaj dhe ishte dislokuar në disa qytete, përpara se të transferohej në zonën e Palmirës, ku ndodhi sulmi. Pas ngjarjes, 11 anëtarë të forcave të sigurisë janë arrestuar për hetime të mëtejshme.

Dy ushtarë amerikanë dhe një civil u vranë të shtunën gjatë një misioni në rajonin shkretinor të Palmirës, ndërsa tre ushtarë të tjerë u plagosën. Pentagoni bëri të ditur se civili i vrarë ishte përkthyes. Autori i sulmit u neutralizua gjatë përplasjes.

Washingtoni ka fajësuar organizatën terroriste ISIS për sulmin, duke e cilësuar atë si një pritë me snajper në një zonë që, sipas SHBA-ve, nuk kontrollohet plotësisht nga autoritetet siriane.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA “do të kundërpërgjigjet”.

Nga ana tjetër, autoritetet siriane deklaruan se kishin paralajmëruar më herët për rrezikun e infiltrimit të ISIS në zonën e Palmirës. Sulmi konsiderohet i pari i këtij lloji që prej ardhjes në pushtet, një vit më parë, të një koalicioni islamist që ka forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.