Sot nis dërgimi i fletëvotimeve për votimin me postë në diasporë – Të regjistruar janë rreth 57 mijë

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të nisë sot dërgimin e e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, në mënyrë që ata të votojnë me postë, për zgjedhjet që do të mbahen në vend me 28 dhjetor.

Kështu është konfirmuar dje për Gazetën Express, nga Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

‘’Gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës’’, ka thënë Elezi.

Ndryshe zgjedhjet parlamentare do të mbahen për herë të dytë brenda këtij viti. Për dallim nga ato të 9 shkurtit, zgjedhjet e 28 dhjetorit do të zhvillohen për shkak të mos krijimit të qeverisë, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje, dështoi ta bënte, edhe pse pati dy herë mundësinë përmes mandatarëve, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Lidhur me këtë, tashmë partitë kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër, si dhe kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë.

Sa i përket numrit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ ditë më parë ka bërë të ditur se janë rreth 57 mijë persona që janë regjistruar të votojnë me postë.