Izraeli konfirmon vrasjen e komandantit të lartë të Hamasit

Ai konsiderohej i dyti për nga rëndësia, pas udhëheqësit aktual ushtarak të Hamasit.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se një nga komandantët më të lartë të Hamasit, Raed Saad, është vrarë pasditen e 13 dhjetorit në një sulm ajror pranë Qytetit të Gazës.

Sipas një zyrtari izraelit, Saad u godit teksa po lëvizte me automjet në rrugën bregdetare Rashid.

Në sulm humbën jetën edhe tre persona të tjerë, ndërsa mediat palestineze raportuan për katër viktima në total.

Izraeli e përshkruan Raed Saadin si shefin e strukturës së prodhimit të armëve të Hamasit dhe një nga figurat më të rëndësishme të krahut ushtarak të organizatës.

Ai konsiderohej i dyti për nga rëndësia, pas udhëheqësit aktual ushtarak të Hamasit në Rripin e Gazës, Izz al-Din al-Haddad.

Sipas ushtrisë izraelite, Saad kishte qenë së fundmi i përfshirë në përpjekjet për të rindërtuar kapacitetet ushtarake dhe infrastrukturën e prodhimit të armëve të Hamasit, pas goditjeve të shumta gjatë muajve të fundit.

Raed Saad ka mbajtur disa pozicione kyçe brenda Hamasit ndër vite. Në vitin 2005 ai drejtoi Brigadën e Gazës, më pas u emërua në krye të sektorit të prodhimit të armëve dhe më vonë mori drejtimin e krahut operacional të organizatës.

Ndryshe nga shumë figura të tjera të larta të krahut ushtarak të Hamasit, Saad është shfaqur herë pas here në aktivitete publike, megjithëse rrallë.

Izraeli kishte tentuar ta eliminonte Saadin edhe vitin e kaluar, gjatë një tjetër sulmi ajror në Qytetin e Gazës, por ai kishte arritur t’i shpëtonte atentatit.