Historia e një djali ukrainas të plagosur nga një raketë ruse ka prekur zemrat e njerëzve në mbarë botën.
Në videon që ka bërë xhiron e rrjetit, tregohet një grua që shpërthen në lot teksa po përkthente fjalën e 11-vjeçarit gjatë një seance në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Ajo po përkthente nga ukrainishtja në anglisht për djalin e mitur, i cili u plagos nga një sulm me raketë rus ndaj një spitali në Ukrainën qendrore në vitin 2022.
Roman Oleksiv kujtoi se në sulm u vra nëna e tij, ndërsa përkthyesja nisi të qante dhe kishte vështirësi të vazhdonte përkthimin.
Oleksiv tha gjithashtu se ishte në koma për më shumë se 100 ditë dhe ka kaluar nëpër shumë operacione që nga ajo kohë.
11-vjeçari, i cili është bërë simbol i rezistencës së fëmijërisë në Ukrainë, ndau historinë e tij me ligjvënësit e BE-së gjatë shfaqjes së një dokumentari mbi fëmijët ukrainas si viktima të luftës dhe të rrëmbyer nga Rusia.











