Monitorimi i zgjedhjeve, IKD-ja tregon se KQZ ia refuzoi akreditimin

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka njoftuar se sot ka pranuar një Njoftim nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për refuzimin e aplikimit të saj për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.

IKD thotë më tej se sipas “ligjit të procedurës administrative dhe standardeve që KQZ do të duhej zbatonte gjatë ushtrimit të fushëveprimtarisë së saj çdo vendim administrative që e miraton duhet të jetë i arsyetuar dhe transparent, si dhe duhet të garantojë të drejtën për të përdorur mjete juridike për kundërshtim”.

 

“Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim.  Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve”.

“Për më tepër, vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.