IPS Musine Kokalari: Kosova më së keqi në rajon për të drejtat e punëtorëve dhe pagën minimale

Instituti Musine Kokalari në një komunikatë për media shkruan se Kosova qëndron nën mesataren e rajonit sa i përket të drejtave të punëtorëve.

Sipas njoftimit, Kosova vazhdon të renditet nën mesataren e rajonit për nga të drejtat e punëtorëve,  me pjesëmarrjen më të ulët në tregun e punës (38.6% punësim dhe 43.2% aktivitet).

“Në krahasim, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia shënojnë treg më aktiv dhe nivele më të larta punësimi, ndërsa vendet e tjera të rajonit mbeten nën 50% të aktivitetit”, thuhet në njoftim.

Të dhënat u prezantuan në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës nga  Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, në kuadër të raportit krahasues 2024 -2025 mbi cilësinë e të drejtave të punëtorëve në Ballkanin Perëndimor.

Raporti evidenton se shumica e vendeve të rajonit përballen me paga të ulëta, orare të  zgjatura pune, mbrojtje të pamjaftueshme në vendin e punës dhe dialog social të  dobët.

Drejtori i këtij instituti, Visa Ymeri, ka thënë se Kosova qëndron më së keqi në rajon edhe për pagën minimale.

“Kosova ka gjithashtu pagën minimale më të ulët në rajon, 342 euro, e cila nuk  mbulon as gjysmën e kostos reale të jetesës. “Këta tregues tregojnë se puna në  Kosovë nuk garanton një standard minimal jetese dhe se politikat aktuale nuk po i mbrojnë mjaftueshëm punëtorët”, tha Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për  Politika Sociale Musine Kokalari.

“Raporti vë në pah edhe shkeljet e orarit ligjor të punës, mungesën e kapaciteteve inspektuese dhe një hendek të thellë gjinor, me pjesëmarrje të grave në tregun e  punës prej vetëm 34.7% dhe diferencë pagash prej 18.6%. Instituti u bën thirrje institucioneve, sindikatave dhe punëdhënësve që të rrisin standardet e punës dinjitoze në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, përfundon komunikata.