Ushtarë amerikanë nga Komanda Rajonale–Lindje e KFOR’it, zhvilluan së fundmi trajnim të specializuar për të përmirësuar aftësinë e tyre në zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve – një aftësi gjithnjë e më kritike në mjedisin e sotëm të sigurisë, ka njoftuar KFOR.
Misioni i NATO’s tha se sistemi ndërpret frekuencën e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të kthehet tek operatori, si dhe mund gjithashtu të ndërhyjë në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të rrijë pezull, të ulet ose të rrëzohet.
“Stërvitje të tilla forcojnë aftësitë teknike, duke theksuar njëkohësisht koordinimin, punën ekipore dhe përshtatshmërinë në reagimin ndaj kërcënimeve ajrore që po evoluojnë vazhdimisht”, tha KFOR.
KFOR-i i zotëron këto aftësi dhe i ka përdorur tashmë ato në skenarë operacionalë, duke rritur efektivitetin e misionit në adresimin e sfidave të reja të sigurisë, shtoi misioni.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Express/











