Dokumentet zyrtare të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dëshmojnë se Bekim Brestovci, ish-drejtor i Shërbimeve Publike dhe më pas edhe i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ka qëndruar për disa muaj në situatë të qartë konflikti interesi, të cilin e ka shmangur vetëm pasi ndaj tij u zhvillua procedurë hetimore administrative. Megjithatë, pavarësisht gjetjeve, Agjencia nuk ka vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj tij, shkruan Demokracia.com.
Bekim Brestovci, Drejtori i Shërbimeve Publike është shembulli klasik i zyrtarit në konflikti të pastër interesi, ashtu siç përkufizohet në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Për këtë kishte raportuar që në majin Prill 2025 Demorkacia.com. E tek disa muaj më vonë u aktivizua edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit,
Sipas raportit të APK-së, që e ka parë Demorkacia.com, i cili përmban një kronologji të detajuar të rasteve të hapura ndaj Brestovcit, zyrtari i lartë publik rezultoi të ishte aktivisht menaxher, drejtor apo anëtar bordi në disa kompani private, brenda dhe jashtë Kosovës, ndërkohë që ushtronte funksione ekzekutive në dy drejtoritë kryesore të Komunës së Prishtinës.
Në deklarimet e pasurisë ai kishte raportuar angazhime si: Drejtor menaxhues në “Lina & Kim Consulting” SH.P.K., Drejtor në “BIMET” L.L.C. dhe “EPC” SH.P.K., Anëtar bordi në dy kompani gjermane, Aksionar apo bashkëpronar në disa kompani të tjera.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, një zyrtar i lartë nuk mund të ushtrojë aktivisht funksione drejtuese në ndërmarrje private gjatë ushtrimit të funksionit publik. Pikërisht këto pozita e vendosnin Brestovcin në “papajtueshmëri të qartë” me detyrën e tij publike, vlerësim i bërë nga vetë Agjencia në disa faqe të vendimit (shih faqet 1–4 të raportit).
Hetimi dhe paralajmërimi zyrtar – Brestovci pranon gjendjen e papajtueshmërisë
APK, me shkrese zyrtare, kishte njoftuar Brestovcin për hapjen e procedurës dhe mbajtjen e një takimi sqarues. Në atë takim, sipas dokumentit, Brestovci pranoi se mbante pozita në biznese private dhe se vetëm pas njoftimit të Agjencisë do të fillonte procesin e tërheqjes nga to.
Kjo do të thotë se ai qëndroi për muaj të tërë në konflikt interesi, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta shmangur atë derisa Agjencia e njoftoi zyrtarisht dhe e paralajmëroi për pasojat nëse nuk do t’i respektonte afatet ligjore.
Në faqen 3 të dokumentit, Agjencia thekson se “veprimet e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për shmangien e papajtueshmërisë”, duke nënvizuar se Brestovci kishte dështuar të aplikonte në kohë për tërheqjen nga funksionet private.
Vetëm pas paralajmërimit me shkrim , Brestovci u angazhua që të transferonte të drejtat menaxheriale dhe të regjistronte ndryshimet në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).
Rasti i motrës së Bekim Brestovcit – punësimi si praktikante në Komunën e Prishtinës
Sipas dokumentit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, një nga pretendimet e ngritura kundër Bekim Brestovcit lidhej me angazhimin e motrës së tij (A.B.) si praktikante në Komunën e Prishtinës. Në raport përshkruhet se A.B. kishte paraqitur kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale më datë 11.03.2025, ndërsa kërkesa ishte aprovuar zyrtarisht nga Menaxheri i Personelit me shkresën e datës 12.03.2025. Periudha e praktikës ishte caktuar nga 17.03.2025 deri më 16.06.2025, pra gjithsej tre muaj. Agjencia sqaron se për t’u vërtetuar konflikt interesi duhet të ekzistojnë dy kushte kumulative: zyrtari të ketë pasur pjesëmarrje në vendimmarrje, dhe të ekzistojë interes privat i zyrtarit ose i familjarit të tij.
Duke analizuar dokumentacionin e dërguar nga Komuna e Prishtinës, Agjencia konkludon se Brestovci nuk ka qenë pjesë e asnjë procesi vendimmarrës në lidhje me aprovimin e praktikës së motrës së tij. Raporti thekson se A.B. nuk ka qenë e punësuar në komunë, por vetëm praktikante, dhe asnjë dokument nuk dëshmon se Brestovci ka pasur rol në përzgjedhjen, vlerësimin ose mbikëqyrjen e saj.
Prandaj, megjithëse pretendimi ngritej si konflikt i mundshëm interesi, Agjencia e mbylli këtë pikë duke konstatuar se nuk plotësohen kriteret ligjore për konflikt, pasi mungonte elementi i vendimmarrjes nga ana e zyrtarit.
Dy pozitat publike të Brestovcit – Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Drejtor i Inspeksionit
Një tjetër pretendim i rëndësishëm lidhej me faktin që Bekim Brestovci, për një periudhë disa muajshe, mbante njëkohësisht dy pozita drejtorie në Komunën e Prishtinës: Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, dhe Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit. Vendimet e Kryetarit të Komunës tregojnë qartë këtë kronologji: më 07.03.2025 ai ishte emëruar drejtor i Inspeksionit, ndërsa deri më 01.07.2025 vazhdonte të ushtronte edhe detyrat në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, duke krijuar një periudhë kur Brestovci mbante të dyja pozitat në të njëjtën kohë. Kjo situatë nxiti dyshime për konflikt interesi dhe shkelje të kufizimeve të përcaktuara për zyrtarët e lartë publikë.
Megjithatë, APK sqaron se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk ndalon mbajtjen e dy pozitave brenda së njëjtës strukturë publike, për aq kohë sa ato nuk shkaktojnë papajtueshmëri me funksionin publik dhe nuk cenojnë paanshmërinë e zyrtarit. Agjencia analizon nenin 13 të LPKI-së (papajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik) dhe arrin në përfundimin se ligji nuk e trajton situatën e mbajtjes së dy funksioneve drejtuese si konflikt interesi në vetvete.
Pavarësisht se gjendja krijon barriera funksionale, raporti thekson se kjo çështje nuk hyn në kompetencën e APK-së për t’u trajtuar si konflikt interesi, pasi nuk ka shkelje të qartë të dispozitave ligjore për konflikt. Për këtë arsye, Agjencia e mbyll edhe këtë pikë të hetimit si të pabazuar.
Pretendimi për shkelje të nenit 18 – emërimi në Drejtorinë e Shërbimeve Publike pas një pozite të mëparshme në “Pastrimi” SH.A.
Kodi ligjor parashikon një kufizim 2-vjeçar për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e organeve drejtuese apo mbikëqyrëse në ndërmarrjet publike, para se ata të emërohen në pozita që lidhen drejtpërdrejt me po të njëjtat ndërmarrje.
Pretendimi kundër Brestovcit ishte se ai ishte emëruar Drejtor i Shërbimeve Publike pa kaluar afati dyvjeçar nga koha kur kishte qenë anëtar i komisionit komunal të aksionarëve për ndërmarrjen publike lokale “Pastrimi” SH.A.
Agjencia, duke analizuar nenin 18 të LPKI-së, sqaron se kufizimi dyvjeçar aplikohet vetëm nëse funksioni i ri i zyrtarit ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndërmarrjen publike ku ai ka mbajtur rolin e mëparshëm. Në këtë rast, Agjencia konstaton se pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike, megjithëse monitoron sektorë publike në qytet, nuk përfshin mbikëqyrje, kontroll apo vendimmarrje të drejtpërdrejtë ndaj ndërmarrjes “Pastrimi” SH.A. Për këtë arsye, APK vendosi se nuk ka shkelje të nenit 18, pasi nuk plotësohet kushti i domosdoshëm i lidhjes së funksionit të ri me aktivitetet e ndërmarrjes ku Brestovci kishte ushtruar më parë rolin e tij. Rrjedhimisht, edhe ky pretendim është mbyllur si i pabazuar. /Demokracia.com/











