Ish-ambasadori kosovar: SHBA do qeveri bashkëpunuese, ka vijë të kuqe për Kurtin

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, tha se SHBA-ja është e qartë me mesazhet e saj se po do një qeveri bashkëpunuese në Kosovë dhe jo një si kjo e Albin Kurtit.

Duke komentuar reagimin e fundit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, e cila ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të ndërmarrë hapa konkretë për uljen e tensioneve, në mënyrë që të rikthehet dialogu strategjik SHBA–Kosovë, Prenkaj tha se këto janë mesazhe serioze që tregojnë pakënaqësinë me qasjen jo bashkëpunuese të Albin Kurtit.

Në një intervistë për RTV21, Prenkaj tha se qytetarët e Kosovës duhet t’i kuptojnë mesazhet e qarta të SHBA-së, e cila po kërkon një qeveri jo konfliktuoze

“SHBA-ja dhe shtetet e tjera janë mësuar, dhe ne publiku i Kosovës jemi mësuar, me eufemizmat e zotit Kurti dhe të idhtarëve të tij. Është momenti i fundit që publiku i Kosovës t’i kuptojë mesazhet që vijnë nga SHBA, të cilat vijnë herë pas here, por në mënyrë të rregullt, si nga Departamenti i Shtetit që përmend vijat e kuqe me emrin dhe mbiemrin e caktuar që është Albin Kurti. Edhe Komiteti për Politikë të Jashtme, i cili thekson çështjet problematike që ka me zotin Kurti. Tani, reagimi i fundit i ambasadës, i cili kërkon deeskalim e bashkëpunim në mënyrë që të rikthehet dialogu strategjik. Nuk do të kemi dialog strategjik derisa të kemi sjellje të tilla që e ngulfatin Kosovën dhe e rikthejnë atë në retorikën historike nacionaliste, e cila për fat të keq po keqkuptohet nga publiku.”, tha ai