Gjatë natës së 12 dhjetorit, qyteti i Yaroslavlit u trondit nga disa shpërthime të fuqishme, pasi objektivi kryesor i sulmit u bë rafineria Yaroslavnefteorgsintez – objekti më i madh për përpunimin e naftës në veriun e Rusisë.
Ky kompleks industrial ka rëndësi të madhe strategjike, pasi furnizon me derivate një rajon të gjerë rus.
Pas shpërthimeve, flakë të mëdha shpërthyen brenda territorit të rafinerisë, ndërsa kolonat e tymit u ngritën lart mbi qytet.
Ekipet e zjarrfikësve u mobilizuan menjëherë për të vënë nën kontroll situatën, por sipas raportimeve të para, zjarri ishte i përhapur dhe i vështirë për t’u shuar.
Banorët lokalë raportuan se dëgjuan disa zhurma të ngjashme me shpërthime të njëpasnjëshme, të cilat shkaktuan panik dhe shqetësim.
Trafiku në zonë u devijua, ndërsa autoritetet paralajmëruan popullsinë të shmangte afërsinë me rafinerinë për shkak të rrezikut të mundshëm të shpërthimeve të tjera.
Nuk ka ende informacione të konfirmuara për numrin e të lënduarve ose përmasat e plota të dëmeve materiale, por sulmi konsiderohet një prej incidenteve më serioze që kanë goditur infrastrukturën energjetike në atë rajon. /











