Anulohet konkursin për Drejtor të Institutit Bujqësor: Pozita rezultoi e paligjshme – Ministria shpalli vend pune që nuk ekziston në rregullore

Një prej konkurseve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) është shpallur i paligjshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), shkruan Demokracia.com.

Bëhet fjalë për pozitën “Drejtor i Institutit Bujqësor”, për të cilën ministria kishte hapur konkurs në mars të vitit 2025, një pozitë që, siç rezulton, nuk ekziston fare në rregulloren e brendshme të ministrisë dhe nuk ka bazë ligjore të jetë subjekt i një procedure të rekrutimit.

KPMSHCK, në vendimin e datës 19 nëntor 2025, ka aprovuar ankesën e kandidatit F.M. dhe ka anuluar tërësisht konkursin me numër reference RN00017323, duke i obliguar strukturat e MBPZHR që brenda 15 ditësh të ndërmarrin të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit.

Pas një analize të detajuar të të gjitha dokumenteve, nga dosjet e kandidatëve, testet me shkrim, vlerësimet individuale të komisionit, deri tek e-mailat zyrtarë mes njësive të MPBZHR-së, Kolegji i KPMSHCK-së ka konstatuar se një pjesë thelbësore e procesit ishte jashtë çdo kuadri ligjor.

Në thelb, Këshilli ka vërtetuar se:

Instituti Bujqësor i Kosovës, megjithëse ekziston historikisht (i themeluar në vitin 1947), nuk figuron si njësi organizative në rregulloren aktuale të MPBZHR-së.

Asnjë akt nënligjor i ministrisë nuk e rregullon funksionimin, organizimin, organogramin apo pozitat e punës brenda këtij institucioni.

Pozita e shpallur nuk ka as bazë ligjore në rregulloren e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila, sipas udhëzimeve të vjetra të UNMIK-ut, duhej ta absorbonte ose rregullonte Institutin Bujqësor.

Pra, konkursi u hap për një pozitë që nuk ekziston në sistematizimin e vendeve të punës të ministrisë, dhe rrjedhimisht, është absolutisht i paligjshëm, sipas nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Tre dekada pa rregullore – por me konkurs për drejtor

Dokumentet e siguruara tregojnë se Instituti Bujqësor është i themeluar me Udhëzimin Administrativ të UNMIK-ut Nr.2003/3. Ai nuk ka organogram, nuk ka rregullore të brendshme funksionale, nuk ka sistem dezignimi të pozitave drejtuese, dhe momentalisht menaxhohet me një ushtrues detyre, një zyrtar profesional.

Edhe vetë njësia përgjegjëse e MBPZHR-së, në përgjigjet zyrtare drejtuar KPM-së, ka pranuar se Instituti ka linjë buxhetore të ndarë, po ashtu ka 36 të punësuar, por nuk ka sistematizim të pozicioneve, dhe se aktualisht është duke u përgatitur një koncept-dokument, i cili ende nuk ekziston.

Pra, ministria shpalli konkurs për një pozitë drejtori, për një institucion që nuk ka as pozitë të ulët drejtuese të përcaktuar, as organogram minimal.

Pretendimet e ankuesit: Testim i kontestuar, komision i paplotë dhe favore për kandidatin fitues

Kandidati F.M., i cili fitoi të drejtën ligjore me vendimin e KPMSHCK -së, kishte ngritur disa shqetësime:

Komisioni gjatë testit me shkrim nuk ishte i plotë – vetëm tre anëtarë ishin prezent.

Pyetjet e testit, sipas tij, ishin jashtë fushës së menaxhimit dhe shumë teknike, të dizajnuara për të favorizuar njërin prej kandidatëve.

Kandidati i shpallur si fitues, A.O., nuk i plotësonte kriteret e përvojës së punës dhe të arsimimit.

Lista e ngushtë kishte përfshirë kandidatë pa përvojë relevante.

Megjithatë, sipas KPMSHCK -së, edhe pse këto pretendime nuk u vërtetuan si vendimtare, ato u bënë të parëndësishme në momentin kur u gjet problemi kryesor, pasi pozita nuk ekziston, pra konkursi është i pavlefshëm, pavarësisht procedurës. /Demokracia.com/