Organizata “Sinjalizuesi” ka shprehur shqetësim të thellë për vendimet e marra ndaj dy hetuesve të Policisë së Kosovës, të cilët për vite me radhë kanë trajtuar raste të korrupsionit të profilit të lartë. Sipas informacioneve të publikuara, dy zyrtarët janë transferuar dhe degraduar pa asnjë arsyetim profesional, duke u larguar nga njësia përgjegjëse për hetimin e aferave të nivelit të lartë dhe duke u dërguar në pozita me profil të ulët.
“Sinjalizuesi” konsideron se këto masa përbëjnë rrezik serioz për transparencën dhe integritetin e hetimeve, sidomos në rastet kur hetimet prekin struktura të larta të pushtetit. Organizata thotë se veprime të tilla dërgojnë një sinjal të gabuar tek zyrtarët që luftojnë korrupsionin, duke krijuar një ambient frikësimi dhe pasigurie për të gjithë ata që zbulojnë keqpërdorime në interes publik.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, çdo zyrtar publik që raporton ose kontribuon në zbulimin e shkeljeve, e që më pas përballet me transferim, presion apo degradim, gëzon statusin e sinjalizuesit të mbrojtur. Në këtë kontekst, organizata thekson se masat ndaj hetuesve të përfshirë në rastet e Rezervës Shtetërore, KEK dhe dosjeve të tjera të ndjeshme paraqesin elemente të qarta të hakmarrjes së ndaluar me ligj.
“Sinjalizuesi” rikujton se ligji parasheh përgjegjësi administrative dhe penale për çdo person apo autoritet që ndërmerr masa ndëshkuese ndaj sinjalizuesve. Për këtë arsye, organizata kërkon që institucionet përgjegjëse – Agjencia Kundër Korrupsionit, Prokuroria, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Avokati i Popullit – të hapin hetime të pavarura dhe të plota për rrethanat e degradimit të dy hetuesve.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet duke goditur ata që e luftojnë korrupsionin,” thekson organizata, duke shtuar se mbetet e përkushtuar për të monitoruar rastet e sinjalizuesve që përballen me presion, hakmarrje apo trajtim të padrejtë.
Organizata “Sinjalizuesi” apelon që institucionet të veprojnë pa vonesë për të rikthyer integritetin e procesit hetimor dhe për të garantuar mbrojtjen ligjore të zyrtarëve që veprojnë në interes publik. /Demokracia.com/











