Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin me titull “Llogaridhënia përballë Skandaleve Qeveritare”.
Në raport theksohet se Qeveria aktuale ka demonstruar një qasje të kundërt me parimet e qeverisjes së mirë në rastet e shumë dyshimeve për korrupsion të plasuara në publik, ndaj zyrtarëve publikë.
Sipas raportit, nNë vend që të promovojë transparencën dhe të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, Qeveria shpesh ka mbrojtur personat e dyshuar, duke vënë në pikëpyetje punën e institucioneve hetimore dhe duke sulmuar organet e ndjekjes.
“Mungesa e llogaridhënies publike për dyshimet e paraqitura në publik për skandale të ndryshme ka cenuar parimet e qeverisjes së mirë. Në vend që të ofrohen sqarime të plota dhe transparente për publikun, institucionet shpesh kanë injoruar akuzat ose kanë mbrojtur zyrtarët e përfshirë, duke mos demonstruar llogaridhënie adekuate publike”, nënvizon raporti, transmeton Klankosova.tv.
Raporti poashtu paraqet një përmbledhje të dyshimeve të plasuara në publik për skandale qeveritare. Të gjitha rastet e përfshira bazohen vetëm në raportimet mediale, përkitazi me rastet që përmbledhë dhe materialet e publikuara në këto raportime. Përmbledhja e këtyre rasteve, elaborohet në kontekst të llogaridhënies, si element krucial i Qeverisjes së Mirë, gjithherë duke pasur parasysh parimin e e prezumimit të pafajësisë.
Raporti përmbledhë një numër rastesh të raportuara me interes të lartë publik, e që lidhen me sektorë të ndryshëm qeveritarë, si energjia, prokurimi publik, rezervat shtetërore, diplomacia, administrata publike, kultura, bujqësia dhe infrastruktura.
IKD njofton se në mesin e këtyre rasteve përfshihen dyshimet tashmë të njohura në publik për keqpërdorime në fushën e tregut të energjisë, kontratat një burimore, dyshimet mbi keqpërdorimet me rezervat shtetërore, dyshimet për ndërhyrje politike në KEK, dyshimet për punësime politike në ndërmarrjet publike, ndarjet kontestuese të subvencioneve dhe fondeve si dhe raste ku ngritën dyshime për konflikt të interesit në projekte të mëdha infrastrukturore.










