Në ç’pikë ndodhet Kosova në betejën kundër korrupsionit?

Ndonëse qeveria thekson përmirësimet në renditje ndërkombëtare për sigurinë dhe perceptimin e korrupsionit në Kosovë, faktet e paraqitura nga Ehat Miftaraj tregojnë një realitet krejt tjetër.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, bazuar në raportin më të fundit “Global Safety” të Gallup-it.

Kosova, sipas Gërvallës, është përmirësuar me 34 vende në krahasim me vitin 2021 dhe “vlerësohet si shteti me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkohë, sipas Transparency International, shton më tej Gërvalla, Kosova është ngritur me 31 vende në krahasim me vitin 2020 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke arritur “renditjen dhe vlerësimin më të mirë deri më tani për vendin tonë në këtë indeks”.

Në këtë kontekst, Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar i Drejtësisë, ka shpalosur disa fakte se ku realisht është Kosova për nga aspekti i luftimit të korrupsionit.

Sipas tij, Kosova nuk ka Strategji për luftimin e korrupsionit nga viti 2019. Mungesa e strategjisë kundër korrupsionit, vlerëson ai, është dëshmi se s’ka vullnet politik për të luftuar korrupsionin në Kosovë.

“Kosova nuk ka pasur plan të veprimit për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021–2026 gjatë vitit 2024. Sa ka vullnet politik partia në pushtet për sundimin e ligjit e dëshmon mungesa totale e veprimeve për përmbushjen e obligimeve që dalin nga kjo strategji gjatë vitit 2024”.

Vetingu, shton më tej ai, ka mbetur në sirtarët e Kuvendit për gati tre vite.

“Dështim kolosal i kësaj qeverie për të miratuar amendamentin kushtetues për veting. Në javën kundër korrupsionit në gjykatat e Kosovës po mbahen vetëm dy seanca gjyqësore në luftimin e korrupsionit të lartë. Në të dy rastet janë të përfshira figura të larta politike të partisë në pushtet, LVV. Rasti Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, dyshime për miliona euro korrupsion. Rasti Rozeta Hajdari, dyshime për korrupsion në vlerë prej 10 milionë euro me rezervat shtetërore”, ka shkrua ai në platformën sociale, Facebook.

Miftaraj ndër të tjera ka potencuar se numri i skandaleve dhe aferave korruptive në katër vite qeverisje është me dhjetëra, si asnjëherë më parë.

“Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, një qeveri, një parti në pushtet emëron në pozita të larta nga Kuvendi, qeveria apo MASHT-i, anëtarë të shoqërisë civile me lidhje të afërta me LVV-në, në borde publike apo universitete publike, ku si zyrtarë të lartë publikë paguhen në të njëjtën kohë nga shteti, institucioni publik dhe OJQ-ja ku punojnë”.

Në gjashtë vitet e fundit janë blerë apo qarkulluar, sipas tij, mbi 800 milionë euro energji elektrike nga kompani që nuk ofrojnë as minimumin e transparencës apo llogaridhënies ndaj publikut,

“Tenderët njeburimorë, punësimet, nepotizmi, subvencionet për klientelë, familjarë të deputetëve të partisë në pushtet dhe shumë e shumë skandale të tjera nuk ju bëjnë krenar as juve e as neve me nivelin e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Ndonëse qeveria thekson përmirësimet në renditje ndërkombëtare për sigurinë dhe perceptimin e korrupsionit, faktet e paraqitura nga Ehat Miftaraj tregojnë një realitet krejt tjetër: mungesë strategjie, mungesë veprimi, dështim në veting, skandale të shumta dhe politizim të institucioneve.