Raportimi i para disa ditëve nga Demokracia.com për dyshimet në tenderin emergjent të KEK-ut për furnizim me Hidroksid Natriumi ka marrë trajtë institucionale. Një ekspert i Organit Shqyrtues të Prokurimit e ka vlerësuar si të bazuar ankesën një operatorit ekonomik dhe i ka rekomanduar panelit shqyrtues që ta shfuqizojë kontratën.
Sipas raportit të ekspertit Driton Fetaj, Autoriteti Kontraktues, KEK-u i ka aplikuar gabimisht kritere të pa-parashikuara në dosjen e tenderit, duke eliminuar operatorin me çmimin më të ulët dhe duke e cenuar parimin e trajtimit të barabartë dhe të mbrojtjes së buxhetit publik. Eksperti e thekson qartë se përjashtimi është bërë duke u thirrur në kritere që nuk kanë qenë të shkruara në dokumentet e tenderit.
“Autoriteti Kontraktues ka aplikuar gabimisht kriter të pa-parashikuar në Dosjen e Tenderit… duke kërkuar elemente të deklaratës së prodhuesit që nuk figurojnë në kërkesat teknike/profesionale”, thuhet në raportin e ekspertit.
Në mënyrë të veçantë, eksperti konstaton se operatori ekonomik kishte dorëzuar dokumente të vlefshme përfshirë marrëveshje furnizimi dhe deklaratë të prodhuesit, të cilat juridikisht i plotësonin kërkesat teknike, por KEK-u i ka refuzuar ato pa bazë ligjore.
“OE ka dorëzuar dokumentet e kërkuara në DT… ndërsa AK nuk ka përdorur mekanizmin e Nenit 72 për sqarime, duke e përjashtuar operatorin në kundërshtim me parimin e transparencës dhe barazisë”, vlerëson eksperti
Në shkrimin e saj investigativ, Demokracia.com kishte dokumentuar se tenderi ishte zhvilluar brenda vetëm pesë orësh pune, se operatorët me çmimet më të ulëta ishin eliminuar, dhe se kontrata ishte dhënë me rreth 35 mijë euro më shtrenjtë.
Eksperti i OSHP-së e përforcon këtë duke theksuar se KEK-u: ka aplikuar kritere të pajustifikuara, të pa-parashikuara në dokumentacion; nuk ka kërkuar sqarime shtesë, ndonëse ligji e lejonte këtë; ka eliminuar ofertën më të lirë, ndonëse dokumentet e saj vërtetonin furnizim të sigurt dhe të standardizuar.
“…përjashtimi i OE-së nuk është bërë në përputhje me parimet e trajtimit të barabartë dhe transparencës të parashikuara në LPP… pretendimi i operatorit ekonomik është i bazuar”, thuhet në përfundimin e raportit.
Në rekomandimin e tij final, eksperti shkon edhe më larg, duke sugjeruar shfuqizimin e kontratës së nënshkruar nga KEK-u dhe aprovimin e ankesës së kompanisë Bizun.
“Në bazë të të gjitha sa më sipër, eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i operatorit ekonomik
është i BAZUAR. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, ndërsa kontrata e nënshkruar nga AK të shfuqizohet”.

Fjalën përfundimtare në këtë rast do ta japë Paneli i OSHP-së, i përbërë nga tre anëtarë të Bordit.
Para disa ditësh, Demokracia.com kishte publikuar një investigim ku ngriti dyshime serioze për mënyrën se si KEK-u kishte zhvilluar një tender emergjent për furnizim me Hidroksid Natriumi. Në atë shkrim, gazeta dokumentoi se operatorët ekonomikë kishin pasur vetëm pesë orë pune për të dorëzuar ofertat, se dy ofertat më të lira ishin eliminuar, dhe se kontrata u dha me rreth 35 mijë euro më shtrenjtë. Demokracia.com theksonte se kriteret ishin ashpërsuar në mënyrë të papritur, ndonëse bëhej fjalë për të njëjtin produkt dhe të njëjtët operatorë që vetëm tri ditë më parë ishin vlerësuar të kualifikuar në një tender tjetër të rregullt. Gazeta pyeste publikisht nëse procedura ishte ndërtuar për të eliminuar konkurrencën dhe për të favorizuar ofertuesin fitues — një kompani që kishte marrë edhe disa kontrata të tjera emergjente gjatë vitit. /Demokracia.com/











