GLPS: Qeveria ka shpenzuar rezervat shtetërore në kundërshtim me ligjin

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar raportin mbi keqpërdorimin e rezervave buxhetore mbi vendimmarrjen 1 vjeçare të Qeverisë.

Sipas GLPS, gjatë vitit 2018 Qeveria e Kosovës ka shpenzuar mbi 73 për qind të buxhetit të rezervës në kundërshtim me ligjin për vendime që nuk ishin urgjente.

Albana Rexha nga GLPS tha se nga 16 vendime të Qeverisë për shpenzimin e rezervës shtetërore janë shpenzuar rreth 3.6 milionë euro.

“Vendimet që i ka ndërmarr Qeveria gjatë vitit 2018, nga 16 vendimet e ndërmarra janë përdorur 73 % të rezervave shtetërore nëkundërshtim me nenin 29 të ligjit për financa publike, apo më saktësisht 3.5 milionë euro. Këto janë mjete që janë ndarë në kundërshtim me ligjin për shfrytëzimin e parasë publike. Ka kritere për çështje për të cilinë bëhet alokimi dhe që është urgjente”, tha ajo.

Sipas saj, asnjë prej këtyre rasteve nuk janë shikuar kriteret ligjore dhe vendimet janë marrë ad-hok.

“Këto rezerva shtetërore do të duhej të shpenzoheshin për çështje urgjente dhe jo për aktivitete që deri më tani është përdorur ky buxhet shteti. Kemi pa raste, nga fondi i janë ndarë për individ të caktuar, lobime, shlyerje të borxheve, për festime”, u shpreh Rexha.

Rexha shtoi gjithashtu se kjo ka edhe indikacion që organizatat buxhetore më nuk janë në gjendje të planifikojnë planin e tyre buxhetor.

“Kjo përveç që është shkelje e ligjit për menaxhimin e financave publike është edhe një indikacion që organizatat buxhetore nuk janë më gjendje të planifikojnë planin e tyre buxhetor dhe kjo praktikë është në kundërshtim të shfrytëzimit të parasë publike”, tha ajo

Vlen të theksohet se edhe ekspertë të ekonomisë kishin vlerësuar më herët se rezervat shtetërore po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

Madje, ata kishin thënë se Qeveria e Kosovës po i shfrytëzon këto mjete pa asnjë kontrollë dhe vende jo të duhuara.