Vendimi i PZAP i drejtë: Supremja rrëzon ankesën e VV-së për votimin jashtë përfaqësive diplomatike

Kolegji i Gjykatës Supreme, njofton se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me vendimin për organizimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në tërësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.3/2025, të datës 30 nëntor 2025.

Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votimin jashtë përfaqësive diplomatike, duke vërtetuar kështu vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në njoftim, Supremja ka thënë se nga shqyrtimi i shkresave, ka ardhur në përfundim se ankesa e VV-së është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”, theksohet në njoftim.

Propozimi për votim edhe jashtë përfaqësive diplomatike, ambasada dhe konsullata, kishte ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. KQZ kishte vendosur që mund të votohet edhe në qendra alternative.

LDK ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP kishte vendosur në favor të LDK’së dhe e kishte rrëzuar vendimin e KQZ’së.

Refuzohet ankesa e LVV-së, lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës

– Kolegji i Gjykatës Supreme, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa  vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.3/2025, i datës 30.11.2025, është vërtetuar.

PZAP, me vendimin ZP.Anr.3/2025, të datës 30.11.2025, ka pranuar si të bazuar ankesën ZP.A.nr.3/2025, e datës 27.11.2025, e parashtruar nga Subjekti Politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe ka ndryshuar vendimin Nr.01/3438-2025, të datës 26.11.2025, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që si Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre.

Kundër vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke propozuar që Gjykata Supreme ta aprovojë ankesën e saj.

Gjykata Supreme e Kosovës, nga shqyrtimi i shkresave, erdhi në përfundim se ankesa e ankuesit është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm

Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”