Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, iu bëri thirrje sirianëve të punojnë së bashku për rindërtimin e shtetit, teksa shënojnë njëvjetorin e rrëzimit nga pushteti të sundimtarit Bashar al-Assad.
Aleanca e udhëhequr nga islamistët e Sharaa-s nisi një ofensivë në fund të nëntorit të vitit të kaluar, duke marrë kryeqytetin sirian, Damask më 8 dhjetor pas pothuajse 14 vjetësh luftë dhe duke i dhënë fund sundimit mbi pesëdekadësh të familjes Assad.
Pas lutjeve të mëngjesit në Xhaminë Umajad në Damask, Sharaa “lavdëroi sakrificat dhe heroizmin e luftëtarëve” që hynë në Damask.
“Faza aktuale kërkon bashkimin e përpjekjeve nga të gjithë qytetarët për të ndërtuar një Siri të fortë, për të konsoliduar stabilitetin e mbrojtur sovranitetin e saj dhe për të pasur një të ardhme që i përket sakrificave të popullit, tha Sharaa, i veshur me uniformë ushtarake, ashtu si në kohën kur hyri në kryeqytet, një vit më parë.”
Qytetarët sirianë po shënojnë përvjetorin e parë që nga fillimi i ofensivës, me festime që kulmuan sot në Damask, përfshirë një paradë ushtarake dhe një fjalim të planifikuar nga Sharaa, i cili është shkëputur nga e kaluara e tij xhihadiste, ka arritur të rivendosë statusin ndërkombëtar të Sirisë dhe siguroi lehtësim të sanksioneve për Sirinë.
Por, po përballet me sfida të mëdha në garantimin e sigurisë, rindërtimin e institucioneve të shkatërruara, rikthimin e besimit të sirianëve dhe ruajtjen e unitetit të shtetit të tij. Përplasjet sektare në bastionet e minoriteteve alavite e druze të vendit, së bashku me operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite, e kanë lëkundur tranzicionin e brishtë të Sirisë.
Përmes një deklarate, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se “ajo që qëndron përpara është shumë më tepër se një tranzicion politik, është mundësia për të rindërtuar komunitete e shkatërruara dhe për të shëruar ndarjet e thella”.
“Eshtë një mundësi për të krijuar një komb ku çdo sirian, pa marrë parasysh etninë, fenë, gjininë ose përkatësinë politike, mund të jetojë në siguri, me barazi dhe me dinjitet, vuri në dukje Guterres duke bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare.”











