Një varg veprimesh të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti lidhur me pjesën veriore të Kosovës, kishin çuar në vendosjen e masave të BE-së. Brukseli zyrtar kishte treguar kushtet që duhej të plotësonte Kosova për të hequr sanksionet, dhe një prej pikave kryesore lidhej me transferimin e pushtetit lokal në komunat veriore.
Por a do t’ia heq BE-ja të gjitha masat Kosovës tashmë që janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe në veri tashmë janë kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e tetorit?
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Bashkimi Evropian kanë thënë se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat që në muajin maj të vitit 2025.
Një zëdhënëse e BE-së në përgjigje ka thënë se “BE synon t’i heq edhe më tej këto masat”, duke shtuar se vlerësojnë faktin që zgjedhjet në katër komunat veriore kanë shkuar pa probleme.
“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më parë, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa.Ne mirëpresim dorëzimin pa probleme të qeverisjes lokale në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve”, ka thënë kjo zëdhënëse e BE-së.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, BE-ja pret që të administrohen mirë dhe që procesi të jetë konkurrues, duke përmendur rëndësinë e pjesëmarrjes dhe certifikimit të partive politike nga të gjitha komunitetet. E njëjta vlen edhe për mediat.
“Gjithashtu, marrim parasysh shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare më vonë në dhjetor dhe nënvizojmë rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues. Duke përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigje.
Në fund, kjo zëdhënëse e BE-së thotë se Brukseli zyrtar është i gatshëm të punojë me institucionet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë përkrahjen Kosovës në rrugë drejt BE-së. BE pret që Kosova të kthehet në rrugën e duhur sa i përket reformave të nevojshëm që lidhen me rrugën drejt BE-së, përfshirë edhe progresin në normalizimin e raporteve me Serbinë.
“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, në të mirë të popullsisë së saj dhe në përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka përfunduar kjo zëdhënëse e BE-së për Express.
Hamza si burrështetas, i kërkon BE-së t’i heq sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën











